Trajneri i Bullgarisë, Krasimir Balakov, beson se Anglia ka probleme më të mëdha me racizëm se ekipit i tij kombëtar, duke e vazhduar zënkën mes këtyre dy kombëtareve para takimit të ndërsjellë kualifikues për Euro 2020 të hënën.
Ai i bëri këto akuza para takimit të sotëm në stadiumin Vasil Levski në Sofje, një pjesë e të cilit do të jetë e mbyllur për tifozë pas incidenteve të racizmit gjatë ndeshjeve të Bullgarisë kundër Kosovës dhe Republikës së Çekisë në qershor.
Lojtarët e Anglisë kanë qenë cak i abuzimeve gjatë ndeshjeve të muajit mars kundër Malit të zi në Podgoricë dhe ata druhen se e njëjta do t’iu ndodhë edhe sot në Sofje.
Por trajneri i bullgarëve e mohon se në vendin e tij ka racizëm dhe sugjeron se ky problem është dukshëm më i madh në Angli.
“Çfarë mund të them është se ne nuk e kemi një problem të tillë”, tha Balakov.
“Në kampionatin bullgar ne kemi shumë lojtarë të etnive të ndryshme dhe me ngjyra të ndryshme të lëkurës. Nuk mendoj se ne e kemi këtë problem të madh, për shembull, Anglia e ka”, shtoi ai.
I pyetur nga gazetarët ta shpjegojë këtë, ai shtoi: “Çfarë dua të them është se në kampionatin bullgar ne nuk kemi pasur probleme të tilla, ndërsa në futbollin anglez ka pasur incidente të ndryshme me racizëm, që për mua është normale duke qenë se Anglia është vendi i madh me popullsi të shumëllojshme”.