Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka vazhduar fushatën parazgjedhore në fshatin Gllamnik në këtë komunë.
I shoqëruar nga kryetari i partisë, Albin Kurti, Bulliqi vizitoi fabrikën e mobilieve Pollo, me ç’rast premtoi mbështetje për përpunuesit e drurit.
“Dyert e shtëpive, fermave e fabrikave po na hapen kudo me dashamirësi. Në Gllamnik së bashku me Kryetarin Kurti vizituam fermën e mjedrës dhe fabrikën e mobilieve Lahu ku punon e gjithë familja, dhe fabrikën e mobilieve Pollo ku punojnë 25 punëtorë. Traditën e prodhimit bujqësor dhe përpunimit të drurit nuk duhet ta mbajmë vetëm familjarisht, por edhe përmes mbështetjes së komunës. Qytetarët duan një komunë që ua hap derën qytetarëve sikur po na i hapin ata dyert neve. Komunën nuk e duan enklavë të një personi a subjekti, por institucion të tyrin që i pret e trajton barabartë të gjithë. Me Shpejtimin për prodhimin! Me numrin 12 për ndryshimin!”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje-Qendra Podujevë.