Provat, faktet dhe dëshmitë që Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror ka arritur t’i sigurojë, dëshmojnë se ka pasur edhe materiale tjera në favor të Kosovës, e te cilat dëshmojnë se në versionin e nënshkruar të marrëveshjes me Malin e Zi, nuk janë përfshirë ato fare, dhe të cilat janë domethënëse për procesin e ruajtjes së tërësisë territoriale.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për Kosova.info, Shpejtim Bulliqi, kryetar i këtij komisioni, i emëruar pas marrjes së drejtimit të Qeverisë nga Ramush Haradinaj.
“Dëshmitë qe kemi, disa i kemi pasur më herët, disa i kemi siguruar më vonë, për disa tjera që i kemi poseduar , jemi angazhuar që të sigurojmë sqarime dhe marrjen e vulës ndërkombëtare apo institucionale. Një gjë është më se e sigurt, se materiale dhe dëshmi ka në shume burime, por që duhet kohë dhe akces për t’i siguruar ato, dhe shumë prej tyre duhet identifikuar fillimisht e më pastaj hapat tjerë”, ka vlerësuar Bulliqi.
Por sa janë gjasat dhe mundësitë që ky proces të përfundojë në arbitrazh, Bulliqi ka theksuar se nuk e di, sepse, sipas tij, procesi duhet t’i kaloj disa faza për të arritur tek faza e arbitrazhit.
“Duhen dy palë që të pajtohen, që të ketë arbitrazh, dhe duhet të kalohen fazat paraprake”, ka thënë Bulliqi.