Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka vizituar familjen Hasani të cilës i është djegur shtëpia dhe dy vetura mëngjesin e hershëm të ditës së hënë.
Ai ka thënë se do të angazhohen për t’i dalë në ndihmë kësaj familje për të tejkaluar më lehtë këtë fatkeqësi. Edhe pse ishin brenda në kohën kritike, asnjëri nga familjarët nuk ka pësuar dëmtime.
“Sot vizitova shtëpinë e familjes së Zeqir Hasanit nga fshati Obrançë, të cilës aksidentalisht i është djegur pjesa kryesore e shtëpisë, garazhat dhe dy vetura. Falë Zotit edhe pse ishin brenda shtëpisë gjatë asaj kohe, të gjithë familjarët janë shëndosh dhe mirë dhe i shpëtuan më të keqes.
Organet e rendit janë në vendin e ngjarjes dhe po bëjnë punën e tyre drejt zbardhjes së shkaqeve që shkaktuan zjarrin”, ka shkruar Shpejtim Bulliqi në “Facebook”. “Përmes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, do të angazhohemi për t’i dalë në ndihmë familjes në fjalë, për ta tejkaluar sa më lehtë këtë fatkeqësi”.