Bundesliga e Gjermanisë në futboll do ta marrë dritën e gjelbër për të rifilluar, me gjasë nga 15 maji, pasi qeveria gjermane do të zbusë edhe më tej masat kufizuese që i ka vendosur për të luftuar koronavirusin, kanë treguar burimet për agjencinë Reuters.
Bundesliga do të jetë e para nga pesë ligat e mëdha të futbollit në Evropë që do të rifillojë, pasi që koronavirusi ka pezulluar sportin në pjesën më të madhe të botës që nga mesi i marsit.
Shtetet gjermane pritet të pajtohen për një rifillim në një telekonferencë me kancelaren Angela Merkel të mërkurën, kanë njoftuar burimet. Ndeshjet do të luhen në kushte strikte dhe nuk do të ketë tifozë në stadiume.
Deri më tash Portugalia, Polonia dhe Hungaria kanë dhënë datat për rifillimin e ligave nacionale, të gjitha nga fundi i majit. Federata e Hungarisë ka njoftuar se do të rifillojë futbolli në vend më 23 maj.
Klubet profesioniste të Gjermanisë në futboll kanë filluar me stërvitje që nga mesi i prillit. Stërvitjet po bëhen në grupe të vogla dhe në rrethana strikte, ku përfshihen testime intensive të gjithë lojtarëve dhe stafit.
Liga e Futbollit Gjerman (DFL) ka dorëzuar një protokoll të sigurisë për ndeshjet pa shikues, ku përfshihet testimi i vazhdueshëm i lojtarëve, por nuk planifikohet të futet në karantinë gjithë skuadra nëse ndonjëri del pozitiv.
Mirëpo, thuhet se nëse një lojtar infektohet, atëherë vendimet për masat do t’i marrin autoritetet shëndetësore lokale.
Të hënën, DFL ka njoftuar se ka regjistruar dhjetë raste me koronavirus në raundin e parë të testeve në 36 klubet e Bundesliga 1 dhe Bundesliga 2. U realizuan 1724 teste.
Raundi i dytë i testimeve do të bëhet javën e ardhshme. Disa media raportojnë se shpresat për rifillimin kanë marrë goditje nga sjellja e lojtarëve të Herthas së Berlinit të hënën.
Sulmuesi i Herthas, Salomon Kalou ka postuar një video në rrjete sociale ku shihet duke shtrënguar duart me bashkëlojtarët dhe duke penguar testet mjekësore të bashkëlojtarëve. Klubi ka pezulluar sulmuesin nga Bregu i Fildishtë, ndërsa vet Kalou ka kërkuar falje dhe ka thënë se nuk i është përmbajtur instruksioneve të klubit.