Dy ish-zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj, të akuzuar për marrje ryshfeti, për të dytën herë janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Këtë të premte është shpallur aktgjykimi kundër tyre. Pas kthimit të rastit në rigjykim, Fevzi Hajdari është dënuar me 2 vjet burgim dhe 25 mijë euro gjobë. Në këtë dënim, sipas Gjykatës, Hajdarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
I akuzuari tjetër, Taulant Tahirsylaj është dënuar me gjashtë muaj burgim, cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se Tahirsylaj nuk do të kryejë vepra të tjera penale brenda periudhës së verifikimit prej dy vjetësh. Po ashtu, Tahirsylaj është dënuar edhe me gjobë në shumën prej 4 mijë eurosh.
Të dytë kanë qenë të akuzuar edhe për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Mirëpo, në mungesë të provave, Gjykata i ka liruar të dy nga barra e kësaj vepre. Pala e dëmtuar në këtë rast, Ramush Misini, është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.