Të premten e javës së kaluar, i dënuari me 44 vjet burg për vrasjen e policëve dhe për kidnapime, kishte tentuar të arratiset nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz. Në një përgjigje zyrtare për Gazetën Express, ky institucion nuk e mohon se Bedri Krasniqi ka tentuar të arratisej, kështu duke dhënë përgjigje të përgjithshme për patrullimet që kryhen për çështje të sigurisë.
Gjendje alarmante ishte krijuar mbrëmjen e së premtes së kaluar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, pasi Bedri Krasniqi, i dënuar për 44 vjet burg për vrasjen e policëve dhe për kidnapime, ka tentuar të arratisej për herën e dytë.
Në vitin 2008, Krasniqi, megjithatë kishte arritur të arratisej nga Burgu i Dubravës dhe kështu kreu një kidnapim, për të cilin u dënua më pas me 17 vjet.
Të pyetur nga Gazeta Express për rrethimin e objektit që ndodhi natën e së premtes në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, zyrtarë të burgut nuk e mohuan se atë natë, arsyeja e rrethimit kishte të bënte për një tentim arratisjeje.
“Të burgosurit me rrezikshmëri çdo herë janë potencial për t’u arratisur për këtë arsye vendosen në burgjet me siguri të lartë”, thotë ky institucion në përgjigje për Express.
Zyrtari i informimit të Qendrave Korrektuese në Kosovë, Jeton Kabashi ka thënë për Express se kontrollet në këtë burg, bëhen çdo herë me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë, kështu duke mos e mohuar as tentim arratisjen e asaj nate.
Nga ky institucion, madje thonë se “nuk ka pasur arratisje që nga themelimi”.
Gazeta Express ka raportuar të shtunën e kaluar për rastin e tentim arratisjes së Bedri Krasniqit. Burimet e Express kanë bërë të ditur se Bedri Krasniqi bashkë me grupin e tij brenda burgut, kanë tentuar të arratisen. Megjithatë, qëllimi i tyre nuk arriti të përmbushet.
Express ka kontaktuar të shtunën edhe me Drejtorin e Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani, por ai nuk pranoi të flasë për këtë çështje.
Bedri Krasniqi është i dënuar për vrasjen e policëve, Sebahate Tolaj dhe Jusuf Haklajt me 27 vjet burg dhe kidnapimin e biznesmenit Azem Morina dhe akuzat për vrasje ndaj tij ende nuk kanë përfunduar.
Ai akuzohet edhe për vrasjen dy policëve që ndodhi në vitin 2004, policit të UNMIK’ut Possible Essuman dhe policit të Kosovës, Arsim Rrustolli.
Mirëpo, mbrëmja e së premtes nuk ishte hera e parë që Bedri Krasniqi kishte tentuar të ikte nga burgu., Në vitin 2008, ai kishte arritur të ikte Burgu i Dubravës, atje ku vuante dënimin për vrasjen e Tolajt dhe Haklajt. Pas dy viteve që qëndroi në arrati, ai u arrestua në vitin 2010 para shtëpisë së tij.
Gjatë kësaj periudhe dy vjeçare, Krasniqi kidnapoi pronarin e firmës “Gllareva” Azem Morina dhe bashkë me grupin e tij kriminal, në këmbim të kokës së Morinës, kërkuan 3 milionë euro.
Për këtë vepër penale më pas, Bedri Krasniqi u dënua me 17 vjet burg dhe kështu u dërgua në vuajtje të dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, për të vuajtur 44 vjet burg, për dy dënime.
Pas arratisjes së Bedri Krasniqit nga Burgu i Dubravës që ndodhi në vitin 2008, Ministria e Drejtësisë pati suspenduar atëkohë 18 zyrtarë të atij burgu.
Më 23 mars të 2004’ës Bedri Krasniqi bashkë me grupin e tij, akuzohen se kanë vrarë një pjesëtar të UNMIK’ut dhe një të Policisë së Kosovës, duke shtënë me kallashnikov drejt veturës së tyre 108 herë.
Gazeta Express ka përcjellë gjykimet e këtij rasti në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po ashtu ka raportuar për radikalizmin e Bedri Krasniqit brenda burgut, i cili në seancat gjyqësore gjithmonë shfaqej me mjekër “wahabi”.
Aktakuza, në të cilën akuzohen Bedri Krasniqin, Alban Dizdari, Bajram Kiqmarin dhe Faik Shaqirin, është e mbështetur kryesisht në dëshminë e Shkumbin Mehmetit, i cili ishte pjesë e këtij grupi. Së bashku me Mehmetin, këta katër të akuzuar dyshohet se janë përgjegjës për vrasjen e policit të UNMIK’ut, Possible Essuman, si dhe vrasjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës, Arsim Rrustolli.