Mosmarrëveshjet e shprehura rreth ndarjes së buxhetit për vitin e ardhshëm ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, mund të bëhen shkas që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike.
Edhe pse më herët partitë e koalicionit qeveritar kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se kanë harmonizuar qëndrimet për buxhetin e vitit 2017, ende ka dallime për sa i përket ndarjes së linjave buxhetore.
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Naser Osmani, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se disa kërkesa tashmë janë harmonizuar, kurse të tjerat pritet të diskutohen në leximin e parë në seancën e Kuvendit.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 do të mbahet të enjten, në seancën e radhës të Kuvendit.
Osmani ka hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht kërkesave të shumta që vijnë nga komunat, agjencitë dhe ministritë.
“Thashethemet se buxheti mund të jetë shkaktar i rënies së qeverisë apo shkuarjes në zgjedhje nuk qëndrojnë, sepse kjo nuk ndodh në asnjë vend. Është e pamundur që të shkohet në zgjedhje, nëse nuk është paraparë ndonjë pozicion i cili mbulon shpenzimet për zgjedhje. Buxheti i vitit 2016 nuk parasheh asnjë pozicion për zgjedhje”, thekson Osmani.
Partia Demokratike e Kosovës fillimisht nuk ishte pajtuar me projekt buxhetin e vitit 2017, për shkak të, siç tha, ndarjes në mënyrë jo proporcionale në komunat dhe ministritë që udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zëvendëskryetarja e parë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shumë çështje janë harmonizuar, por mbeten edhe disa çështje për diskutim, në mënyrë që të votohet buxheti.
“Shumica nga kërkesat janë plotësuar, por kemi edhe disa çështje të diskutohen rreth projekteve që kemi kërkuar të jenë pjesë e buxhetit dhe shpresojmë që do të harmonizohen”, thotë Hadërgjonaj.
Por, Berim Ramosaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se duke marrë parasysh që Kuvendi i Kosovës ndodhet në një prej periudhave më të vështira të funksionimit të tij, pasi nuk ka arritur të sigurojë votat për ratifikimin e demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, miratimi i buxhetit mund të bëhet shkas për prishje të koalicionit.
“Ndoshta ky rast i jep mundësi individëve të caktuar në partitë e koalicionit që të prishin koalicionin, por nuk e shoh nga krerët e dy partive që ka vullnet për të. Sidomos Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka vullnet të largohet nga qeveria. Ndërsa sa i përket kryetarit të PDK-së, e ka rastin të tregohet. Në qoftë se zoti Veseli e sheh veten të fuqishëm karshi partnerit tjetër, unë besoj se do ta shfrytëzojë rastin, sepse rast më të mirë për prishje të koalicionit nuk ka se sa votimi i buxhetit”, thotë Ramosaj.
Por, Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, mendon se prishja e koalicionit mund të ndodh në fillim të vitit të ardhshëm, kur fillon alokimi dhe shfrytëzimi i mjeteve buxhetore.
“Në fillim të vitit të ardhshëm mund të ketë probleme. Dhe unë besoj se viti i ardhshëm do të karakterizohet me mospajtime në lidhje më mënyrën e shpenzimeve të buxhetit, ose para zgjedhjeve komunale mund të ketë fërkime të reja me mënyrën e shfrytëzimit të këtyre mjeteve”, thotë Bektashi.
Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 2 miliardë euro, kurse pjesa më e madhe do të gjenerohet nga të hyrat fiskale. Prej 2 miliardë eurosh të planifikuara, rreth 730 milionë euro do të shkojnë në investime kapitale, apo për ndërtimin e rrugëve.