Shumica e buxhetit të shëndetësisë që është paraparë në projekt-buxhetin e vitit 2017 pritet të shkojë në paga dhe mëditje. Do të përfitojnë edhe disa institucione, kurse janë ndarë 8.8 milionë euro për trajtim jashtë vendit edhe në klinikat private në Kosovë.
Për rreth 850 mijë euro do të jetë më i lartë buxheti për shëndetësi në vitin 2017, nga ai që ishte në dispozicion sivjet. Kështu së paku është paraparë në draft – buxhetin për shëndetësi që pritet shpejt të dalë në Kuvend.
Nga buxheti i tërësishëm prej afro 127 milionë eurosh sa do të jenë të dedikuara për shëndetësi gjatë vitit të ardhshëm, rreth 71 milionë janë mjete që do të dedikohen për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Derisa, 55 milionë euro do të jenë të dedikuara për departamentet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Megjithatë, shumica e buxhetit të shëndetësisë do t’u dedikohet linjave buxhetore që janë të parapara për paga dhe mëditje.