Buxhovi kritikon ashpër Shefqet Krasniqin: Prokurori i shtetit duhet të veprojë menjëherë

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Historiani Jusuf Buxhovi, ka kritikuar për hapësirën mediale që po i ipet klerikëve fetarë ku bëhet thirrje e hapur për diskriminim gjinor.

Buxhovi, përmes një postimi në Facebook tha se Kosova është shtet laik dhe klerikëve fetarë nuk duhet t’u lejohet hapësirë mediale ku bëhet thirrje për diskriminim gjinor, dhunë në familje, dhe ku identiteti nacional kërkhet të zëvendësohet me atë fetar.

‘’Meqë kushtetuta mbron të drejtën e lirive fetare si dhe përcakton vendin e klerit në shoqëri, prokurori i shtetit duhet të veprojë menjëherë aty ku preket kodi kushtetues si dhe sistemi i vlerave mbi të cilin mbështetet shoqëria e lirë dhe demokratike’’, shkroi Buxhovi.

Ky është postimi i plotë:

‘’ KUR KLERIKËT BËJNË POLITIKË, NDËRSA POLITIKANËT DUA!

Në një shtet laik, siç është Kosova, klerikëve nuk duhet t’u lejohet hapësirë mediale, ku bëhet thirrje e hapur për diskriminim gjinor, dhunë në familje, ku madje, edhe identiteti nacional kërkohet të zëvendësohet me atë fetar!

Meqë kushtetuta mbron të drejtën e lirive fetare si dhe përcakton vendin e klerit në shoqëri, prokurori i shtetit duhet të veprojë menjëherë aty ku preket kodi kushtetues si dhe sistemi i vlerave mbi të cilin mbështetet shoqëria e lirë dhe demokratike.

Pse gjyqësori nuk ka vepruar deri më tash në këtë frymë, fajin duhet kërkuar te pjesa madhe e politikanëve, që për interesa meskine, jo rrallë para elektoratit përdorin gjuhën e klerikëve, ndërsa klerikët, pse jo, në kuadër të këtyre raporteve, në jetën publike, veçmas nëpër studio televizive, bëjnë politikë!’’

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme