Komisioni për Arsim ka diskutuar me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, rreth çështjes së sigurisë në shkolla, raporton Ekonomia Online.
Bytyqi tha se janë marrë disa hapa në këtë çështje bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit.
“Padyshim shqetësim ka qenë edhe për ne. Ky shqetësim nuk është vetëm tash, ka kohë që vjen prej përdorimit të narkotikëve nëpër shkolla. Në rastet e fundit kam ftuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Drejtorin e Policisë dhe Drejtorin e DKA-ve, kemi marrë vendim që deri në përfundim të vitit shkollor t’i marrim disa hapa. Jemi ra dakord me policinë që të bëhet shpërndarja e patrullave të policisë dhe të jenë më shpesh në vizita të hapësirave të jashtme të shkollave.
Bytyqi tha se pas përfundimit të këtij viti pritet që të ngritët task forcë që merret me narkotikët që po përdoren në shkolla.
“Kemi kërkuar nga DKA-të që të informojnë të gjithë drejtorët të kenë kontrolle rutinore të klasave. Ky plan dinamik i kontrolleve t’i jepet si informacion policisë. Nëse hasin në ndonjë mjet të ndaluar të merren masat e menjëhershme nga policia. Tjetër ka qenë t’iu bëjmë thirrje drejtorëve që qoftë se rastet më të vogla të raportohen në polici. Kemi ra dakord që pas përfundimit të këtij viti shkollor të ngritët një task forcë që merret me narkotikët që po përdoren në shkolla dhe kësaj t’i shtohet edhe dhuna në shkolla”, tha Bytyqi