Bytyqi: Analiza e ORCA-s tregon gjithçka për UP-në, universitetet duhet të kenë profesorë të duhur

Prishtinë | 02 Gus 2018 | 12:36 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka thënë se analiza e përgatitur nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) për pensionimin e profesorëve të Universitetit të Prishtinës, tregon gjithçka për UP-në.

Këto komente ministri i bëri pas përfundimit të prezantimit të kësaj analize nga ORCA, raporton Ekonomia Online.

“Edukimi i lartë është interesi kryesor i të rinjve tanë dhe është interes publik dhe të gjithë ne duhet të diskutojmë, sepse është situata reale, sepse jemi persona përgjegjës”.

“Sikur kjo karrierë e një individi nuk do të ishte me pasoja dhe dëm që nuk shkakton te të tjerët, e fundja fundit do të ishim pajtuar, por nëse kjo karrierë na dëmton të ardhmen e universitetit, ne nuk mund ta mbrojmë këtë”.

Ministri tha se vetë profesorët mund të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë në arsim, raporton EO.

“Kur flasim për interesin e publikut, askush nuk është i pavarur dhe kjo duhet të jetë temë e hapur dhe të bashkohemi të kërkojmë një zgjidhje dhe të bëjmë ndryshime kur nuk ka situatë të mirë.  Cilësia e parë që duhet të ngritet të jetë përmes profesorëve” .

“Ne si ministri e kemi obligim që të vendosim rregulla që duhet ta ndihmojmë universitetin për t’u zhvilluar që të rinjtë tanë të marrin edukimin e duhur, por universitetet e kanë obligim të kenë profesorë të duhur”.

Sa i përket arsimit parauniversitar, ai tha se kjo pjesë është më e ndërlikuar dhe se problem kryesor nga politika janë udhëheqësit.

“Në pjesën e parauniversitare problemi kryesor nga politika janë udhëheqësit, sepse janë të zgjedhur nga partitë politike dhe nëse drejtori është zgjedhur nga partitë  politike, atëherë ka ndikime politike, mirëpo në pjesën parauniversitare nuk ka mësimdhënës që vazhdojnë punën pasi dalin në pension”.

Rron Gjinovci nga ORCA tha se nuk do të qëndrojm duarkryq dhe se shtatori dhe tetori do të na presin protesta

“ORCA dhe njerëzit me të cilët unë bashkëpunoj nuk kemi me qendru duarkryq, shtatori edhe tetori ka me na pritë me situatë të ngjashme me atë të vitit 2014 si me rastin e rektorit të atëhershëm, Ibrahim Gashi kur edhe ka fillu formalisht lufta e shoqërisë kosovare për integritet akademik dhe nëse nuk ndërmerren masa për profesorët që nuk i justifikojnë titujt akademik, atëherë shtatori dhe tetori do të na presin protesta.”

Sipas analizës së ORCA-s, 72% e profesorëve nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë nga aspekti i punimeve shkencore që duhen për tituj respektivë, dhe nga këta, 122 profesorë të rregullt mbajnë titullin më të lartë akademik, por si rrjedhojë kanë kontratë me kohë të pacaktuar.

Sa i përket metodologjisë së hulumtimit të CV-ve nga ORCA, 122 profesorë me marrëdhënie të rregullt pune në 12 fakultete të Universitetit të Prishtinës nuk i plotësojnë kriteret për të qenë profesorë të rregullt, sipas ligjit për Arsim të Lartë dhe Statutit të Universitetit të Prishtinës.

Në 122 profesorët e rregullt që nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë, 36 prej tyre ose 29 % priten të pensionohen në vitin 2018, sepse janë 65 vjeç ose më shumë, 75 ose 61% e profesorëve të rregullt që nuk i justifikojnë titujt akademikë priten të pensionohen përgjatë 18 viteve të ardhshme.

36 profesorë që priten të pensionohen në 2018, vetëm 16 ose 44% të tyre janë pensionuar, ndërkohë 20 ose 56%  të tjerë vazhdojnë të ligjërojnë.

Nga 54, 21 ose 39% të profesorëve që nuk i justifikojnë titujt akademikë janë të pensionuar, ndërkohë që 33 ose 61% vazhdojnë të ligjërojnë.

Nga 21 profesorët që janë pensionuar, 12 janë profesorë të rregullt, tre janë profesorë të asocuar dhe dy janë profesorë asistentë.

Nga 33 e profesorëve që ligjërojnë, 20 janë profesorë të rregullt, 8 janë të asocuar dhe 5 profesorë asistentë.

Përfundimet e ORCA-s janë: Universiteti i Prishtinës duhet të krijojë mekanizma dhe politika serioze për ta adresuar problemin e mosjustifikimit të titujve, pastaj duhet ta ndalojë praktikën e vazhdimit të punësimit të profesorëve të pensionuar; duhet ta rrisë numrin e stafit akademik për kokë student dhe të krijojë mekanizma ose institucione me pjesëmarrje ndërkombëtare për të verifikuar dhe unifikuar titujt akademikë.

Të ngjashme