Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka njoftuar se është takuar me Joel Reyes-in, specialist i arsimit të lartë dhe zhvillimit institucional në Bankën Botërore.
Ndër të tjera, Bytyqi bëri të ditur se gjatë këtij takimi ka theksuar rëndësinë që ka matja e performancës së mësimdhënësve për ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar.
Statusi i plotë i ministrit:
“Sot prita në takim, z. Joel Reyes, specialist i arsimit të lartë dhe zhvillimit institucional në Bankën Botërore, me të cilin bisedova rreth zbatimit të projektit ESIP, që ka për qëllim përmirësimin e sistemit arsimor në Kosovë.
Falënderova Bankën Botërore për përkrahjen e vazhdueshme në arsim dhe përmenda faktin se tashmë MAShT ka filluar me procesin e Vlerësimit të Performancës së Mësimdhënësve (VPM), që është edhe njëra nga komponentet e projektit.
Gjatë takimit me z. Reyes, theksova rëndësinë që ka matja e performancës së mësimdhënësve për ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar dhe kërkova përkrahjen e Bankës Botërore edhe në implementimin e komponentave tjerë, që janë po ashtu të rëndësishme, si dhe premtova angazhim të shtuar nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”.