Pesëdhjetë e pesë nxënës të klasave të ndryshme nga mbarë Kosova kanë marrë çmime pasi që ishin pjesë e garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”.
Ata që kaluan 65% janë përfitues të shërbimeve dhe aktiviteteve përkrahëse për zhvillimin e talentit të tyre në fushën e matematikës, posaçërisht për ofrimin e kurseve të avancuara të matematikës nga profesionistët e fushës, në përputhje me moshën dhe talentin e tyre në matematikë, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqyri Bytyqi, me këtë rast premtoi mbështetje për talentet e të gjitha fusha e veçanërisht për ata të matematikës.
“Nuk është vetëm përgjegjësi e një instituti të caktuar që të merret me talent në të gjitha fushat e veçanërisht në fushën e arsimit, por është në përgjegjësi edhe të instituteve të tjera dhe ministrisë së Arsimit”.
“Këta janë krenaria jo vetëm e prindërve, por e gjithë shoqërisë tanë. Ne do të bëjmë maksimumin që në këto fusha e në fushat e tjera do të bëjmë përpjekje që t’i përkrahim”.
Jusuf Thaçi, drejtor ekzektutiv i Institutit Atomi tha se gara “Kangaroo” ka vënën pah dy gjëra. E para sipas tij, është se në Kosovë ka talent të matematikës dhe e dyta se në sistemin e arsimit ka të meta sidomos sa i përket fushës së matematikës.
Ai tha se talentet e kësaj fushe duhet të angazhohen vet në zhvillimin e tyre.
“Në Kosovë kemi talente të matematikës të krahasueshëm me bashkëmoshatarët e tyre kudo në botë, e dyta që na ka tregu është që kemi të meta shumë të mëdha në fushën e arsimit posaçërisht në fushën e matematikës sepse kemi mesatare shukë të ulët”.
“Unë mendoj që pavarësisht kësaj prindërit dhe nxënësit pavarësisht se mungon përkrahja e duhur duhet të përkushtoheni që të investoni vet në talentin e këtyre nxënësve ”
Kryetarin e shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Nuhi Lohaj tha se gara e matematikës është e rëndësisë së veçantë.
Ai tha se pret që këta nxënës në të ardhmen të udhëheqin fushat e ndryshme të shkencës.
“Pa një zhvillim dhe avancim të matematikës është e paimagjinueshme të presim një zhvillim të shkencave teknike”.
Fituesit e tri vendeve të para në Garën e Matematikës ishin:
1.Leon Derguti
2.Shpend Deva
3.Kanita Muja
Ndërsa, më të mirët në kategorinë e tyre u zgjedhën:
Kategoria I- Klasa e parë dhe e dytë: Ajan Rizvanolli
Kategoria II- Klasa e tretë dhe e katërtë: Leon Derguti
Kategoria III- Klasa e pestë dhe gjashtë: Edi Berisha
Kategoria IV- Klasa e shtatë dhe e tetë: Art Gjuli dhe Robert Pira
Kategoria V- Klasa e nëntë dhe dhjetë: Dren Neziri
Kategoria VI- Klasa e njëmbëdhjetë dhe e dymbëdhjetë: Viktor Ahmeti
Garën Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo në Kosovë – Math Kangaroo Contest – Kosovo (MKC-K) është organizuar me autorizimin të Asociacionit Kangourou Sans Frontières (AKSF).
Në Garën “Kangaro”, të mbajtur më 17 mars kanë marrë pjesë mbi 5000 nxënës.