Bytyqi hapi punimet e Seminarit mbarëkombëtar për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 19:23 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lindita Nikolla, morën pjesë në ceremoninë e hapjes së punimeve të Seminarit të XIV-të mbarëkombëtar për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë, i cili ka filluar sot në Tiranë dhe do t’i zhvillojë punimet deri më 3 gusht 2018.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri për Diasporë i Shqipërisë, Pandeli Majko, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësues të Minstrisë së Diasporës së Kosovës.

Me këtë rast, Ministri Bytyqi ka falënderuar mësimdhënësit për kontributin e tyre të çmuar, angazhimin e palodhshëm ndër vite, për kultivimin e gjuhës shqipe, ruajtjen e traditës dhe kujtesës sonë kombëtare në mendjet e të rinjve tanë në mërgatë.

“Diaspora ishte një mbështetëse e fuqishme e popullit tonë në kohë të vështira, por misioni i juaj si mësimdhënës është përtej kësaj, është përtej angazhimeve tuaja të përditshme, përtej një kontrate normale punëdhënës-punëmarrës, është mision i shenjtë e fisnik në shërbim të të rinjve, në shërbim të atdheut. Ju po ndihmoni kultivimin e gjuhës sonë të çmuar, ruajtjen e kulturës dhe traditës sonë kudo që jeni, andaj e meritoni respektin dhe mbështetjen tonë institucionale”, tha ministri Bytyqi.

Në vazhdim, ministri Bytyqi tha se është hartuar kurrikula e përbashkët për mësimin plotësues në diasporë, ndërsa MAShT ka hartuar dhe ndanë falas edhe tekste shkollore për diasporë (seti prej 19 teksteve të veçanta/2010).

Ministri Bytyqi, tha se më se gjysma e substancës kombëtare jeton jashtë vendit, andaj theksoi se mbështetja për punën që bëjnë mësimdhënësit në diasporë është shumë e nevojshme. Në këtë kontekst, ministri Bytyqi theksoi nevojën e certifikimit të mësimdhënësve kudo që ata punojnë, ndërsa përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjeve të përbashkëta ndërministrore në Korçë, me të cilat parashihet financimi i mësimit plotësues dhe që duhet të jetësohen në të ardhmen.

Ndryshe, ky Seminar ka për qëllim këmbimin e përvojave të mira të mësimdhënies nga vende të ndryshme të botës, ndërsa gjatë këtyre ditëve sa do të zgjasë seminari, do të paraqiten kumtesa me tema të ndryshme si: Metodologji të mësimdhënies dhe teori të të nxënit për nxënësit që jetojnë në diasporën shqiptare, Prezantimi i dokumentit “Kurrikula e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë”, Mësuesit në shkollat e komunitetit shqiptar, profili dhe sfidat me të cilat ballafaqohen”, dhe tema të tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme