Bytyqi: Haradinaj na zuri në befasi, puna vazhdon deri në ardhjen e ministrit të ri

Prishtinë | 28 Kor 2019 | 08:03 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, thotë se për rreth dy vjet arritën të vendosin një bazament të mirë në sistemin arsimor në vend, duke investuar në infrastrukturë, por edhe në cilësi.

Në një intervistë për EkonomiaOnline, Bytyqi thotë se dorëheqja e Haradinajt i zuri në befasi, por punën do ta vazhdojnë deri në ardhjen e një ministri të ri.

“Ne jemi të kënaqur që kemi filluar të vendosim bazament për sistemin arsimor dhe normalisht ne kemi qenë të vetëdijshëm që të gjitha këto ndryshime dhe hapa të guximshëm që i kemi ndërmarr për ndryshim dhe reformë brenda sistemit arsimor nuk do ta japin rezultatin menjëherë. Shpresojmë që këtë rrugëtim do ta vazhdojmë në mënyrë që të kemi një sistem të qëndrueshëm arsimor në Kosovë”.

“Dorëheqja e Haradinajt na zuri në befasi sepse ne nuk kemi pritur që në gjysmë të mandatit të ndodhë kjo që ndodhi, por nganjëherë vendimet pulitke janë të paparashikuara të cilat ndodhin dhe duhet të jenë të respektuara. Ne e kemi obligim të respektohet çdo vendim që vjen nga fusha politike. Por ajo çka kemi obligim unë si Ministër por edhe i gjithë stafi Kabinetit që të vazhdojmë punën tonë deri në ardhjen e një Kabineti të ri”, thotë ai.

Bytyqi thotë se gjatë kësaj periudhe sa udhëhoqi me MAShT-in, përveç infrastrukturës, investuan shumë edhe në depolitizimin e sistemit arsimor në vend.

Krahas kësaj thotë se nxorën udhëzimin administrativ që përcakton mënyrën e zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave në arsimin parauniversitar.

Sipas tij, tashmë kjo kompetencë kalon tek kolektivi i shkollës dhe prindërit dhe se kanë minimizuar përpjekjet e jashtme, qoftë politike dhe aktorëve të tjerë për të ndikuar në zgjedhjen e drejtorëve.

“Ne e kemi bërë një hap të madh drejt depolitizimit të arsimit. Është bërë një punë mjaft e mirë lidhur me udhëzimin administrativ për emërimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, pasi që ne kemi konsideruar vazhdimisht se kemi një dobësi te pika e drejtorëve, qoftë në politizimin, qoftë në ndikimet e jashtme në zgjedhjen e drejtorëve, por edhe në rolin e tyre që kanë brenda shkollave. Nga përpjekja e madhe që ne të vendosim një rregull brenda institucionit të shkollës që të kemi një ngritje të standardit të cilësisë. Është konstatuar se drejtori duhet ta ketë rolin kyç, sepse ai duhet të jetë gardiani i mbrojtjes së cilësisë brenda një shkolle dhe ky ka ardhur si rezultat i kësaj që është bë me udhëzim administrativ”, thotë Bytyqi.

Ministri Bytyqi thotë se një rëndësi të veçantë gjatë këtyre dy vjetëve i kanë dhënë infrastrukturës shkollore, ku sipas tij ndërtuan shumë shkolla dhe objekte përcjellëse gjithandej Kosovës.

“E kemi vendos një standard të bashkëpunimit të komunikimit për t’i parë se cila është gjendja edhe në terren. Kemi vizituar shumë shkolla dhe në shumicën prej tyre ka qenë hera e parë që një Ministër i Arsimit i ka vizituar. Ne jo vetëm që kemi bërë vizita, por kemi parë nga afër gjendjen dhe ku është e nevojshme që të ketë investime në mënyrë që të krijohen standardet e nevojshme për një mësimdhënie dhe një mësinxënie të nivelit evropian. aty ku do që kemi vërejtur që ka nevojë për investime, por normalisht të kufizuar nga buxheti, megjithatë kemi bërë goxha shumë investime. Kemi një numër të madh të shkollave që tashmë janë në proces të ndërtimit, salla sportive, ambiente shtesë, ku po krijohen kushte shumë më të mirë”.

Por, për të arritur synimin për një sistem të mirëfilltë arsimor, Bytyqi thotë duhet të krijojnë mundësitë për të realizuar mësimin tërë ditor.

“Ne këtë vit do ta kemi një pilot-projekt dhe me të gjitha këto investime po afrohemi më afër këtë synimi dhe na mbetet që përveç infrastrukturës na mbetet një angazhim i madh edhe i mësimdhënësve edhe i prindërve që të punojmë në ngritjen e cilësisë”, thotë ai.

Gjatë mandatit sa udhëhoqi me MAHT-in,. Bytyqi thotë se investoi shumë edhe në çerdhe publike raporton EO.

“Në këto dy vite që jemi në Qeveri kemi investuar aq shumë sa që asnjëherë nuk është investuar në çerdhe. Tashmë e kemi një numër shumë të madh të çerdheve në shumë vende të cilat janë duke u ndërtuar. Në Prizren, që neve kemi qenë të befasuar që nuk ka pasur asnjëherë çerdhe publike në këtë qytet. Tashmë i kemi dy çerdhe në Prizren dhe qytete tjera, Kaçanik, Rahovec, Klinë, dhe shumë vende që nuk kanë pasur çerdhe”, thotë ai.

Në fund ministri Bytyqi pati një thirrje për të rinjtë të cilët këtë vit synojnë regjistrimin në universitetet publike dhe private.

 “Ajo çka kemi pas një problem është ajo që kem pas vonesa nga KShC-ja që të bëhen disa akreditime të programeve apo të institucioneve,siç është rasti i vendimeve të fundit, këto e kanë shtyrë pak çështjen e regjistrimeve. UP-ja ka qenë i përgatitur në kohë si universiteti më i madh publik. Ajo çka është vërejtur fatkeqësisht në Universitetin e Prishtinës ka pasur një rënie të numrit të studentëve, jo ajo që ka qenë gjatë viteve të mëhershme. Nuk është arritur të plotësohen kuotat në të gjitha drejtimet. Ne ju bëjmë thirrje të rinjve tanë që të bëjnë një orientim sa më të mirë në karrierë”, përfundoi Bytqi.

Të ngjashme