Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) organizoi konferencë me temën “Promovimi i paqes nëpërmjet edukimit”, me rastin e Ditës së Fëmijëve.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se institucionet janë përgjegjëse për t’u ofruar fëmijëve edukim cilësor.
“Do t’u çoja një porosi gjithë fëmijëve: Fëmijë, urime dita e juaj! Është e rëndësishme të na bëni neve pëgjegjës që në secilin moment të kemi obligime karshi juve, të ju ofrojmë edukim të mirë, këtë duhet të kërkoni vazhdimisht nga ne”.
“Ne mundohemi që në çdo institucion shkollor që fëmijët dhe e ardhmja e tyre të jenë të përgatitur, në një person që të bëhet përgjegjës për demokraci, për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve. MAShT-i ka obligim të ju ofrojë mundësi të barabartë fëmijëve të edukohen siç duhet, dhe të gëzojnë të drejtat e fëmijëve siç i gëzojnë fëmijët në gjithë botën”.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ismajl Kurteshi, ka theksuar se si përfaqësues i Komisionit për Arsim, do të bëjë ligje që garantojnë të drejtat e fëmijëve dhe mundësojnë arsimim të mirëfilltë, raporton Ekonomia Online.
“Ne si komision do të angazhohemi jo vetëm t’i bëjmë ligjet më të mira që garantojnë respektimin e të drejtave të fëmijëve që mundësojnë arsimim të mirëfilltë. Do të angazhohemi që të bëjmë presion në Qeverinë e Kosovës, në MAShT, në MKRS për një shkollim të mirëfilltë të fëmijëve tanë që me të drejtë thuhet se janë e ardhmja e këtij vendi, dhe fëmijet tanë të kenë kushte të mira të shkollimit”.
Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, ka theksuar se Muzeu i Kosovës duhet të hapë dyert për gjeneratën e re, që këta fëmijë të kenë një vend për përcjelljen e aktiviteteve të dedikuar për ta.
“Ne jemi një muze i vogël i një vendi të vogël. Nuk mund të bëjë shumë me ndërru imazhin e vendit, nuk mund të sigurojë të hyra sikur muzetë në botë me miliarda dhe miliona euro, por ky muze duhet të hapë dyert për gjeneratën e re që të kenë një vend ku mirëpriten dhe ndodhin aktivitete që janë të dizajnuara për këtë gjeneratë. Muzeu i Kosovës ka shumë programe për fëmijë dhe të rinj. Ju ftoj të vini më shpesh”, ka thënë Boshtrakaj.
Ndërsa Tajma Kurt, shefe e misionit IOM, ka thënë se fëmijët janë shtytësit kryesorë të ndryshimit dhe duhet të jenë qendra e vëmendjes në çdo program, raporton EO.
“Është nder për mua që ju drejtohem juve dhe që jam pjesë e kësaj përpjekjeje të qeverisë, MAShT-it dhe kombeve të bashkuara për të promovuar të drejtat e fëmijëve.
Është besimi ynë i fuqishëm se fëmijët janë shtytësit e ndryshimit, dhe duhet të jenë në qendër të vëmendjes në çdo program”.