Bytyqi në Bruksel diskuton për sfidat për njohjen e kualifikimeve akademike

Prishtinë | 26 Qer 2018 | 18:42 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi po qëndron në Bruksel në ditën e dytë të takimit të 7-të ministror, në kuadër të Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim, Trajnim, Hulumtim dhe Inovacion. Ai përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook” ka treguar se në ketë takim ka diskutuar për zhvillimet më të fundit të politikave në arsim dhe trajnim në vendet tona të Ballkanit Perëndimor, si dhe për sfidat për njohjen e kualifikimeve akademike që janë prioritet kyç për Kosovën.

“Diskutuam për përfitimet kryesore të bashkëpunimit rajonal në njohjen e kualifikimeve akademike, ku në fund të këtij takimi, miratuam një sërë konkluzionesh dhe parimesh kryesore për njohjen e kualifikimeve akademike. Iniciativa për njohjen automatike të kualifikimeve është e një rëndësie të veçantë, dhe si të tillë edhe Kosova e përkrahë këtë”, ka shkruar ai.

Bytyqi ka treguar se Kosova edhe sot i njeh diplomat, por me procedura të shumta i detyrojnë të rinjtë të shpenzojnë energji dhe kosto të panevojshme, dhe kur jemi në dijeni për këtë realitet, Kosova duhet që të angazhohet maksimalisht për të krijuar lehtësira rreth kësaj çështje.

“Edhe Agjencionet e Akreditimit të vendeve tona duhet të luajnë rolin e sigurisë në cilësi që ta kemi sa më të lehtë në këtë rrugëtim të njohjeve automatike të diplomave”.

“Bashkë me ministrat tjerë të Ballkanit Perëndimor sot u pajtuam edhe për sistemin online të futjes së të dhënave te të gjithë atyre që mbarojnë studimet Master dhe PhD, ku do të krijohen shumë lehtësira rreth njohjes së diplomave për faktin se më nuk do të kemi nevojë tu drejtohemi vendeve përkatëse, por të dhënat për të diplomuarit do të gjenden në këtë platformë online. Kjo do të hapte perspektivë rreth mobilitetit të studentëve dhe profesorëve, si dhe do të hapte mundësi më të shumta për tu qasur në tregjet e punës”, përfundoi Bytyqi.

Image may contain: 2 people, indoor

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme