Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi sërish nuk ka ardhur për raportim në komisionin për Arsim lidhur me përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë ( EQAR).
Nga Administrata e Kuvendit iu është thënë gazetarëve se ministri nuk do të jetë prezent. Kurse në sallën ku ishte paralajmëruar mbledhje nuk ka ardhur asnjë anëtar i komisionit. Kryetari i Komisionit, Ismail Kurteshi u tha se për gjysmë ore vjen në Prishtinë nga Prekazi.
Edhe javën e kaluar Bytyqi nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit për të raportuar.
Nesër Kuvendi do të mbajë seancë në lidhej me këtë çështje, raporton Ekonomia Online.
Agjencia e Kosovës për Akreditim është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për shkak të ndërhyrjeve politike, pas shkarkimit të bordit të AKA-së nga Qeveria.
Ministri u sqarua vetëm përmes Facebook-ut. Ai madje ka siguruar studentët që diplomat e tyre do të njihen edhe pas largimit nga EQAR.
Sipas tij, MAShT do të ankohet në EQAR lidhur me procesin e përjashtimit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga regjistrat e vet, raporton EO.
AKA në vitin 2015 ishte bërë pjesë e EQAR-it, që është regjistër i agjencive evropiane të sigurimit të cilësisë, të cilat dëshmojnë se standardet dhe procedurat e tyre janë në përputhje substanciale me parimet për sigurimin e cilësisë në Evropë.
Në vendimin për përjashtim thuhet se Komiteti i Regjistrit ka konstatuar se pas vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe të u.d. të drejtoreshës së Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, kjo agjenci “ka humbur aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë autonome”.
Ministri, Shyqiri Bytyqi, më 25 shtator të vitit të kaluar, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, e ka shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë (që njihet si Bordi i Agjencisë së Akreditimit), si dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të Agjencisë për Akreditim, me arsyetimin se procesi i akreditimit është përcjellë me shumë “parregullsi”.