Bytyqi s’raporton në komision pas përjashtimit të AKA-së nga Regjistri Evropian për Cilësi

Prishtinë | 02 Mar 2018 | 09:05 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, nuk i është përgjigjur thirrjes së Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, për raportim pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), raporton Ekonomia Online.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, tha se përkundër se dje ishte konfirmuar pjesëmarrja e ministrit, mbrëmë ai ka njoftuar Komisionin që nuk do të marrë pjesë në këtë mbledhje.

Ai ka lexuar edhe një letër ku tregohen arsyet pse Bytyqi nuk do të marrë pjesë.

“Dje në kemi marrë një konfirmim nga Fortesa Shasivari se ministri do të vjen. Në ora 21 Fortesa Shasivar ka njoftuar se ministri dhe kryeministri janë duke i bashkërenduar veprimet lidhur me këtë çështje dhe koha e ftesës për të marrë pjesë në mbledhje ka qenë e shkurtër dhe ministri nuk mund të merr pjesë”.

Ismajli tha se kjo mbledhje do të mbahet ditën e martë, kur mbahen edhe mbledhjet e rregullta të këtij komisioni.

“Këtu jemi pesë anëtarë të komisionit, në mungesë të ministrit nuk do ta mbajmë mbledhjen. Ditën e martë më 6 mars. Dje gjatë seancës së Kuvendit partitë opozitare ja mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje”.

Kurteshi tha se do të ketë një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohet për përjashtimin e Kosovës nga EQAR.

Anëtarja e këtij komisioni, Arbërie Nagavci, tha në një prononcim për Ekonomia Online se duke pasur parasysh arsyetimin që e ka dërguar ministri e kupton mosprezencën e tij sot sepse mbledhja është thirrur jashtë rendit të ditës dhe koha ka qenë e shkurtër.

“Ajo që duhet të bëhet urgjentisht është që të raportohet për shkarkimin e këshillit të kaluar, cilat kanë qenë arsyet që bashkë me kryeministrin të marrë këtë vendim.

Duhet të rivendosë raportet me rrjetin evropian. Më e rëndësishmja është që të jenë të kujdesshëm për emërimin e anëtarëve të rinj të bordit, të jenë krejtësisht profesional, transparent dhe të respektojnë procedurat ligjore”, tha Nagavci.

Agjencia e Kosovës për Akreditim është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për shkak të ndërhyrjeve politike, pas shkarkimit të bordit të AKA-së nga Qeveria.

Dje ministri përmes një statusi në Facebook, fajin për përjashtim nga EQAR, po tenton ta hedhë te një “grup interesi” të cilët sipas tij keqinformuan këtë institucion.

Ai ka thënë gjithashtu se në MAShT nuk ndjehen mirë me këtë tendencë largimi nga ky mekanizëm evropian dhe se do ta ndihmojnë shumë Agjencinë e Akreditimit që të sqarojë EQAR-in në këta tre muaj afat për të ndalur largimin.

“Ne sigurojmë opinionin, EQAR-in, palët e interesit në Kosovë, se ne i mbajmë duart politike larg këtij institucioni dhe secilit institucion arsimor”, ka thënë ai.

Sipas tij, MAShT do të ankohet në EQAR lidhur me procesin e përjashtimit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga regjistrat e vet, raporton EO.

AKA në vitin 2015 ishte bërë pjesë e EQAR-it, që është regjistër i agjencive evropiane të sigurimit të cilësisë, të cilat dëshmojnë se standardet dhe procedurat e tyre janë në përputhje substanciale me parimet për sigurimin e cilësisë në Evropë.

Në vendimin për përjashtim thuhet se Komiteti i Regjistrit ka konstatuar se pas vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe të u.d. të drejtoreshës së Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, kjo agjenci “ka humbur aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë autonome”.

Ministri, Shyqiri Bytyqi, më 25 shtator të vitit të kaluar, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, e ka shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë (që njihet si Bordi i Agjencisë së Akreditimit), si dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të Agjencisë për Akreditim, me arsyetimin se procesi i akreditimit është përcjellë me shumë “parregullsi”.

Të ngjashme