Pas shqetësimeve të ngritura nga komuniteti i të verbërve, përkatësisht Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, i kryesuar nga z. Daut Tishuku, rreth çështjes së objektit të Qendrës Burimore “Dr. Xheladin Deda”, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, ka premtuar se do t’i mbështesë ata me të gjitha kapacitetet që kjo ministri disponon.
Bytyqi ka shkruar në Facebook se, nëse do të jetë e nevojshme, do të kërkojnë edhe mbështetje financiare nga donatorët brenda kapaciteteve të Ministrisë.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Sot, prita në takim kryetarin e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, z. Daut Tishuku, me të cilin bisedova rreth shqetësimeve të ngritura nga komuniteti i të verbërve rreth çështjes së objektit të Qendrës Burimore “Dr. Xheladin Deda”, në Pejë.
Lidhur me këtë, kam shprehur keqardhje për shqetësimin që ata kanë, ku me të marrë informacionet e para, ne kemi marrë hapat e nevojshëm duke kundërshtuar veprime të tilla, madje kemi kontaktuar menjëherë Ministritë e përfshira në këtë proces dhe Komunën e Pejës. Pas takimeve të zhvilluara jemi dakorduar që një veprim i tillë të mos ndodh derisa të marrim një qëndrim zyrtar nga vet Qendra Burimore dhe nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, dhe besoj shumë që këtë çështje do ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe së shpejti do të marrim një vendim adekuat.
Sa i përket çështjes së trajnimeve dhe ofrimin e programeve për të verbëritë, shpreha qëndrimin tonë se ne jemi të interesuar që të mbështesim të gjitha kategoritë me nevoja të veçanta dhe se kërkesat e tyre do të merren në konsideratë, e do të trajtohen seriozisht në çdo kohë.
MAShT do të ofrojë mbështetjen e saj me të gjitha mundësitë që ka qoftë me ofrimin e trajnimeve, por edhe mbështetje financiare brenda mundësive të Ministrisë, madje do të kërkojmë mbështetje edhe nga donatorët, sepse edukimi i mirëfilltë dhe krijimi i kushteve të nevojshme për këtë kategori të shoqërisë tonë është shumë i rëndësishëm.