Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim drejtoren e Korpusit të Paqes në Kosovë, Darlene Grant.
Bytyqi ka bërë të ditur se me Grant ka biseduar për angazhimin e vullnetarëve të Korpusit të Paqes në disa shkolla të komunave të ndryshme të Kosovës.
“Falënderova drejtoren Grant për kontributin që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin vullnetarët e Korpusit të Paqes në mësimin e gjuhës angleze për nxënësit tanë dhe theksova se ky angazhim ka dhënë vazhdimisht rezultate të mira. Në këtë takim biseduam edhe për mundësinë e shtrirjes së programit edhe në komuna, të cilat nuk janë të përfshira aktualisht në këtë program. Në këtë drejtim, u theksua nevoja e bashkëpunimit më të madh me drejtoritë komunale të arsimit, në mënyrë që programi të ketë sa më shumë sukses në ngritjen e cilësisë në mësimdhënien dhe mesimnxënien e gjuhës angleze”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.