Gjatë diskutimit në tryezën “Rritja e lidhjeve të industrisë së shkencës në Kosovë – Disa instrumente të mundshme”, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se është e nevojshme që universitetet e Kosovës të thellohen më shumë në hulumtime dhe zhvillimin e shkencës.
Sipas tij, transferimi i dijes dhe shkencës nga pjesa akademike te bizneset private është tema më e rëndësishme për diskutim në këtë tryezë, raporton Ekonomia Online.
“Tema të tilla, siç është tryeza e sotme që flasim për shkencën, bashkëpunimin dhe transferimin e dijes dhe shkencës nga pjesa akademike te bizneset private, konsideroj që është tema më e rëndësishme që sot duhet të diskutohet në Kosovë”.
“Ajo që vërehet te të rinjtë tanë ka qenë një orientim për të kryer një shkollim të lartë dhe pastaj të gjejnë një punë dhe nuk i është dhënë një rëndësi e madhe hulumtimeve dhe shkencës”.
“Universitetet tona kanë nevojë shumë më shumë të kenë tryeza të fushës së hulumtimit dhe shkencës. Në vitet e fundit ka pasur ndryshime dhe zhvillime në universitete të Kosovës, por ka nevojë edhe më shumë të thellohet pjesa e hulumtimit te universitetet tona”.
“MAShT e luan një rol të rëndësishëm dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë që në çfarëdo pjese qoftë të financimit. Në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë kemi bërë rishkrim edhe të legjislaturës që të lehtësohet bashkëpunimi i universiteteve me sektorit privat”.
Ambasadori austriak, Gernot Pfandler, ka thënë se janë duke punuar për promovimin e sektorit të arsimit në Kosovë dhe se do të mbështesin sektorin e punës.
“Jemi të përkushtuar, qeveria ime ka punuar shumë vite në promovimin e sektorit të arsimit në Kosovë”.
“Ne do ta bëjmë mbështetjen ekonomike të universiteteve në sektorin e punës. Disa instrumente duhet të zhvillohen dhe hartohen. Ne jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij projekti, të financojmë atë. Siç e besoni, Kosova ka nevojë të ketë ndihmën tonë në këtë drejtim”.
Helmut Gassler, ekspert ndërkombëtar nga HERAS, tha se sektori publik i hulumtimeve duhet të jetë i hapur ndaj atij afarist, raporton EO.
“Është e rëndësishme qe institucionet të japin informacione në sistemin e inovacionit, ashtu siç janë universitetet që prodhojnë edhe fuqi punëtore të shkathët. Sektori publik i hulumtimeve duhet të ketë apo prodhojë njohuri të reja dhe duhet të jetë i hapur ndaj sektorit afarist”.
Sipas Gassler-it, sektori afarist duhet ta ndihmojë sektorin akademik për prodhimin e njohurive të përshtatshme.
“Duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që sektori afarist ta ndihmojë sektorin akademik që të prodhojnë njohuri që janë të përshtatshme për sektorin afarist. Për të arritur këtë, shumë instrumente ndërmarrëse janë zhvilluar në shumë vende”.
“Situata në Kosovë për zhvillimin e sektorit afarist është mjaft mirë dhe sot do përqendrohemi në dy prejt tyre, krijimi i qendrave për hulumtime dhe rektorati që duhet të jetë prapa këtij misioni”.
“E rëndësishme për t’u adresuar është që të përfshihen brenda një strategjie të përgjithshme. Nevojitet kohë për t’iu përkushtuar derisa këto qendra të shkencës të jenë të gatshme funksionale dhe nevojitet durim për të arritur sukses të tillë”.
Murteza Osdautaj, drejtor i Departamentit për Shkencë dhe Teknologji, ka treguar mbi Ligjin për Inovacion dhe Transfer të dijes.
“Ligji për Inovacion dhe Transfer të dijes është në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës. Pjesa e parë e ka karakterin shkencor, që bazohet në punën kërkimore shkencore të inovacionit. Pjesa e dytë e rregullon çështjen e transferit të dijes dhe teknologjisë”.
“Ligji është konceptu që të ketë bazë ligjore që puna kërkimore të jetë gjithmonë në funksion të zhvillimit ekonomik në Kosovë. Që të bëjmë një lidhje mes shkencës dhe zhvillimit ekonomik jemi fokusuar në institucionet që bëjnë punë kërkimore shkencore”.