Bytyqi uron vit të mbarë shkollor, kërkon nga mësuesit të japin maksimumin

Prishtinë | 02 Sht 2018 | 20:41 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqyri Bytyqi, me rastin e fillimit të viti të ri shkollor, ka uruar nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit që të kenë një vit të mbarë në zënien e dijes dhe shkathtësive të nevojshme.

Ai në një video postim në Facebook thotë se nisja e vitit të ri shkollor do të jetë një ditë e madhe  dhe një festë për të gjithë, pasi do të fillojë një angazhim i përbashkët për të ardhmen.

“Iu dëshiroj mirëseardhje nxënësve që vijnë për herë të parë në bankat shkollore në klasë të parë duke iu dëshiruar suksese në vatrën e dijes. Kërkoj nga mësimdhënësit të bëjnë maksimumin në punën e tyre që nxënësit të pajisen  me dije dhe shkathtësi. Ju keni një profesion të shenjtë dhe si të tillë duhet deri në fund të bëni maksimumin që nxënësit tanë të jenë ata që të gjithë po presin të jenë të rinjtë tanë të Evropës”, thuhet në urimin e ministri Bytyqi.

MAShT ka bërë tashmë të gjitha përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor në nivel vendi më 3 shtator. Në Prishtinë procesi mësimor nuk do të fillojë në shkollat “Elena Gjika” dhe Pavarësia”, për shkak të punimeve në objekte.

Mësimi në këto dy shkolla pritet të nisë pas dhjetë ditësh dhe ditët e humbura do të kompensohen.

Të ngjashme