Ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Evropë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka takuar sot Drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Audery Azoulay gjatë sesionit të 40 të Konferencës së Përgjithshme të kësaj organizate.
“Në takim diskutuam për rëndësinë e edukimit në zhbërjen e sjelljeve përjashtuese dhe ekstremiste, si dhe rëndësinë e patjetërsueshme të dialogut multikulturor. Po ashtu, shprehëm gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit gjatë Kryesisë së OSBE-së 2020, veçanërisht në fushën e promovimit të lirive themelore, politikave anti-diskriminuese dhe dialogut të hapur shoqëror në përgjithësi”, ka thënë Cakaj.
“Në fund, natyrisht, theksova rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO. Kosova sot është shembull rajonal në mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe trashëgimisë kulturore përgjithësisht”.
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës do të përforcojë vlerat që përfaqëson UNESCO, nga edukimi deri te trashëgimia kulturore”.