Cakaj thotë se Serbia ka dështuar në vënien e drejtësisë për krimet në Kosovë

Prishtinë | 23 Tet 2019 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë për Evropën dhe për Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj ka përshëndetur miratimin e Rezolutës nga Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA për vëllezërit Bytyçi.

Ndërkohë u shpreh se Serbia po dështon në vënien para drejtësisë të përgjegjësve për krimet kundër shqiptarëve të Kosovës.

“Shqipëria mirëpret votën unanime të Dhomës së Përfaqësuesve për mënyrën se si Serbia është marrë me rastin e vëllezërve Bytyçi. Serbia në vazhdimësi ka dështuar në ndjekjet penale të përgjegjësve për krimet e panumërta të bëra kundër shqiptarëve të Kosovës. Drejtësia duhet vënë në vend”, u shpreh Cakaj.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.


Të ngjashme