Zyrtarët qeveritarë të Kosovës po paraqiten krejtësisht të çakorduar për çështje të rëndësishme për vendin, duke krijuar kështu huti te qytetarët. Derisa kryeministri Ramush Haradinaj deklaron se këtë vit hiqen vizat me BE-në, të kundërtën e thotë zëvendësministri i Integrimeve Lirak Çelaj. Edhe vendimin e Ministrisë së Jashtme për moslejimin e hyrjes në vend të zyrtarëve serbë e ka demantuar shefi i ekzekutivit në Prishtinë.
Ndonëse janë pjesë e Qeverisë së Kosovës, zyrtarët e saj nuk po arrijnë të dakordohen për çështje të rëndësishme për shtetin e Kosovës. Përkundrazi, ata po paraqiten krejtësisht të çakorduar në çështjet e tilla.
Derisa kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon të zotohet se procesi i liberalizimit të vizave do të finalizohet brenda këtij viti, zyrtarë të Ministrisë së Integrimit po thonë se vizat mund të mos hiqen fare gjatë 2019-s, shkruan “Zëri”.
Por kjo nuk paraqet dallimin e vetëm mes zyrtarëve qeveritarë. Javën që shkoi nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) pohuan se asnjë zyrtar serb nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë për shkak të propagandës dhe të përpjekjeve të tyre për të inskenuar krizë humanitare në veri.
Por menjëherë pas kësaj reagoi Kryeministria, e cila përmes një komunikate demantoi lajmin në fjalë duke thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë kurrfarë vendimi të tillë.