Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit të pandehurit D.Z., për pengim në detyrë të gjyqtarit në Malishevë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, ai do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 7 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor të këtij viti.
“Sipas kërkesës, “i pandehuri Sh. B., më datë 7 tetor 2025, në fshatin Berishe, Komuna Malishevë, me forcë tenton ta pengoj të dëmtuarin N. Q., – Gjyqtar në Gjykatën Themelore Gjakovë – Dega Malishevë – Departamenti i Përgjithshëm Divizioni Civil, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i dëmtuari ka qenë në teren së bashku me procesmbajtësin/dëshmitarin për një kontest pronësor, aty shkon i pandehuri fillimisht debaton me avokatin ku i drejtohet me fjalët “Pse ke hyr në këtë lëndë”, ku avokati kërkon nga Gjyqtari që ta konstatoj këtë, i dëmtuari /Gjyqtari i prezantohet të pandehurit si Gjyqtar i lëndës dhe e ka lutur që mos të pengohet seanca në teren se përndryshe është i detyruar ta thërras policinë, mirëpo i pandehuri nuk e respekton policinë dhe me tone të larta i përgjigjet me fjalët “Unë jam mësuar që të shkoj në polici dhe thirri edhe njësinë speciale”, duke vazhduar që të pengoj gjyqtarin me duar në gjoksin e tij”, thuhet tutje në njoftim.