Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të miturve:
L.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të KPRK-së,
L.L. dhe H.G., për shkak të veprës penale pjesëmarrja në rrahje nga neni 187 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Gjyqtarja e procedurës – Kymete Kicaj, kërkesën e prokurorisë së shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së (në kuptim të nenit 61 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur) dhe të njëjtëve i ‘u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të miturve do ti llogaritet prej datës 22.01.2021 deri me datën 21.02.2021.
Gjyqtarja e procedurës për të mitur, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të miturit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, dhe kjo rrjedh nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të miturve L.L. dhe H.G., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, pasi që procedura përgatitore në këtë çështje sapo ka filluar, dhe në vazhdim do të merren në pyetje të miturit, dhe në rrjedhën e mëtejshme do të mblidhen edhe prova të tjera për të zbardhjen e kësaj çështje penale.
Po ashtu për Gjykatën qëndrojnë bazat ligjore për caktim të paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, posedim i mjeteve të rrezikshme, për më tepër të miturit pas pjesëmarrjes në rrahje, në rrjetet sociale kanë vazhduar me kërcënime dhe provokimin e mëtejme të situatës edhe ashtu të rënduar duke postuar fotografi.
Pra duke marrë parasysh sjelljet e tyre dhe vendosmërinë për të kryer këto vepra penale, e duke pasur parasysh edhe raportet e acaruar në mes të familjeve, si dhe për të mos eskaluar situata edhe ashtu e rënduar, në rrethana të tilla mos marrja e masave adekuate jep indicie se do të krijonte raste për përsëritjen e veprave penale për të cilat të miturit kanë kërcënuar dhe provokuar.
Andaj, nën këto rrethana caktimi i masës së paraburgimit ndaj dy të miturve, për momentin është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm se do të sigurojë zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës përgatitore dhe sigurimin e prezencës së të miturve.
Gjyqtarja për të mitur ka shqyrtuar edhe masat tjera alternative për sigurimin e prezencës së të miturve, mirëpo ka ardhur në përfundim se të njëjtat nuk janë të mjaftueshme dhe të sigurta për sigurimin e prezencës të miturit në procedurë gjer në sqarimin e rrethanave për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale të cilat i ‘u vihen në barrë. e posaçërisht kur procedura përgatitore në këtë çështje penale është në fazën fillestare, si dhe duke pasur parasysh peshën e veprës penale, pasojat të cilat i kanë këto veprime antiligjore, rrezikshmërinë dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, sjelljet e tyre pas kryerjes së veprës penale, sidomos publikimi i fotos në rrjetet sociale me mbishkrime provokative, janë indikator që nëse lihen në liri, mund të përsërisin vepër tjetër penale, andaj sipas konstatimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i bazuar me ligj dhe i arsyeshëm dhe se do të siguroi zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës përgatitore dhe sigurimin e prezencës së të miturit.