Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ka plotësuar panelin për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të “NP KOSTT-it”.
Kryetarja e këtij komisioni, Sala Berisha-Shala tha se deri më tani janë 29 kandidatë të cilët kanë aplikuar për të qenë pjesë e Bordit të NP KOSTT-it.
“Britanezët si implementus të projektit me Parlamentin dhe Qeverinë kanë kërkuar mirëkuptim që mos me qenë më shumë se 7 vetë në panel por kjo nuk do të thotë me u përmbajt, të gjithë anëtarët e komisionit nëse duan mund të jenë pjesë e panelit”, tha Berisha-Shala, raporton Ekonomia Online.
“Intervistimi i një kandidati merr kohë 1 orë e gjysmë dhe një javë kohë duhet për të intervistuar të gjithë kandidatët”.
Anëtari i komisionit, deputeti Muharrem Nitaj, tha se në këtë bord duhet të jenë të nga një përfaqësues i grupeve parlamentare.
“Ju e paskët marrë një dakordim edhe nga partneri që është pjesë e këtij procesi apo sugjerim të jetë nga 7 anëtarë unë mendoj se duhet të jenë nga një përfaqësues i grupeve parlamentare”, tha Nitaj.
Deputeti, Veton Berisha ka shprehur skepticizëm se mund të jenë prezent në 29 intervistat e kandidatëve.
“Pajtohem të jetë një nga grupet e parlamentare por duhet të jemi në 29 intervista dhe nuk di a mundemi me qenë gjatë tërë intervistave”, tha Berisha.
E, kryetarja e komisionit, Sala Berisha-Shala iu përgjigje anëtareve të komisionit lidhur me kërkesat e tyre.
“Ne jemi kolegë në komision, politikat kemi mundësi me dhënë diku tjetër në seanca, por ata që kanë mundësi të jenë duhet të jenë sepse duhet të jenë nga i pari deri tek i 29 në intervistë që të jetë intervistat sa më korrekt dhe nuk duhet të ndërrohet paneli kohë pas kohe”, tha Sala-Berisha.
Berisha-Shala njoftoi se intervistat do të ndodhin në muajin dhjetor.
“Sot kam premtuar që do të ua sjell emrat implementuesve të projektit, britanezëve se cilët anëtarë të komisionit do të jenë pjesë e panelit”, tha Berisha-Shala.
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal u dakorduan se pjesë e panelit të jenë anëtarët: Hykmete Bajrami, Liburn Aliu, Sala Berisha-Shala, Muharrem Nitaj, Veton Berisha, Duda Balje dhe Adem Hodza.
Në fund komisioni u pajtua që gjatë javës së ardhshme të ftohen për të raportuar në komision, ministri i Zhvillimit Ekonomik,Valdrin Lluka dhe përfaqësuesit e ZRRE-së.