Profesoresha në Universitetin e Houstonit, Lindita Camaj, ka thënë se trazirat në ndërtesën e Kongresit në Washington të SHBA-së nuk kanë qenë të befasishme.
Ajo në Express Intervistë thotë se paralajmërime se mund të ketë pakënaqësi për rezultatin e zgjedhjeve ka pasur në rrjete sociale, ashtu si edhe nga Donald Trumpi.
Camaj ngre pyetjen se “si është e mundur që siguria të mos jetë e madhe dhe që trazuesit të kenë hyrë në ndërtesë të armatosur”.
“Këto trazira nuk kanë qenë befasuese, ndoshta përmasa ka qenë befasuese por janë pritë trazira. Kanë qarkulluar shumë komente nga e djathta ekstreme, në mënyrë të hapur kanë thënë se do të mblidhen. Nuk ka qenë një gjë e panjohur se mund të ketë trazira, prandaj pyetja është si është e mundur të mos kenë qenë më të siguruar, ndërtesa e Capitolit të mos jetë më e siguruar”, tha ajo.
Sipas Camajt, nga trazirat brenda Kongresit nuk ka pasur rrezik për grusht-shtet, pasi shton se protestuesit e kanë shfrytëzuar më shumë rastin për promovim të tyre nëpër rrjete sociale.
“Ajo që e shoh çka ka ndodhur është politikë performuese më shumë se sa një rrezik që të bëhet një grusht-shtet apo sukses për grusht-shtet sepse kjo nuk mund të ndodhë kur nuk ka mbështetje të madhe politike”, tha ajo.
“Në momentin kur dhunshëm kanë hyrë, ajo që kanë bërë është që ata kanë bërë selfie, të hyjnë live dhe të krijojnë përmbajtje për rrjete sociale”.
Camaj tha se muajt e fundit, Trumpi ka shfaqur mungesë lidershipi duke u treguar më i përqendruar në zgjedhjet.
“Ajo që është parë në muajt e fundit nga Trump është mungesë e lidershipit e qeverisjes. Ka qenë i preokupuar me çështjen e zgjedhjeve”, tha ajo.
Sipas saj, ngjarja e fundit ka ndikuar që shumë prej kongresmenëve republikanë të ndërrojnë qëndrimin e tyre dhe kanë votuar për certifikimin e zgjedhjeve, për të cilat fillimisht kishin dalë kundër.
“Kanë qenë 14 kongresmenë republikanë që thanë se do ta refuzojnë certifikimin e zgjedhjeve dhe kur ndodhi incidenti, një numër i tyre ka ndërruar qëndrim ndaj zgjedhjeve dhe kanë votuar. Vetëm 6 nga 14 kanë votuar. Ka pasur unitet të përgjithshëm në Kongres për të denoncuar këto incidente”, tha ajo, teksa shton se tash ka përçarje brenda kësaj partie.
“Kemi përçarje brenda vetë partisë Republikane, një krah që ende nuk e pranojnë legjitimitetin e zgjedhjeve, por kemi pa edhe atë mbrëmë që një pjesë kanë ndërruar mendim”, përfundoi ajo.