Canaj: Zgjedhjet në Kosovë janë bërë për ego personale, fajtorë për situatën janë Kurti dhe Osmani

Prishtinë | 10 Mar 2026 | 13:11 | Nga Drita Dërmaku

Ish-diplomati Blerim Canaj në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se Kosovës nuk i nevojiten zgjedhje të reja, por sipas tij ato mund të bëhen të pashmangshme për shkak të krizës politike dhe mungesës së konsensusit për zgjedhjen e presidentit duke theksuar edhe se presidentit apo presidentja duhet të ketë një politike të balancuar dhe jo të jetë figurë uniteti dhe që kryeministrit t’ia caktojë datën e zgjedhjeve siç ajo do. Sipas tij, kjo gjë rezulton të ketë ndodhur me shpalljen e zgjedhjeve më 28 dhjetor.

Ai ka kritikuar edhe lidershipin aktual, duke thënë se vendi po drejtohet nga interesa personale dhe jo nga interesat e shtetit.

 “Kosova nuk i nevojiten zgjedhjet, mirëpo përderisa Kosova në ballë gjithmonë ka njerëz të papërgjegjshëm të cilët zgjedhjet i mbajnë për shkak të egove personale, jo për të gjetur zgjidhje, natyrisht që mund të vazhdojmë kështu me një proces sikur në Bullgari, nga zgjedhjet në zgjedhje. Në fund të ditës e pamë edhe nga intervista e Presidentes mbrëmë më duket ishte, që thjesht gjithçka çka ka pasur të bëjë deri më tani në qeverisje ka qenë kryesisht politika të cilat e kanë parë zakonisht të ardhmen e tyre personale, por jo që ka pasur ndonjë politikë ku prioritet dhe primare e ka pasur shtetin dhe shtetësinë”, tha ai.

Canaj theksoi se zgjedhjet mund të bëhen të pashmangshme për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e presidentit dhe situatës së krijuar në Kuvend.

“Shiko, zgjedhjet janë të pashmangshme tanimë për shkak se ne e dimë që dy presidentë janë propozuar, askush nuk ka disponim që të votojë president partiak. Në anën tjetër, Kuvendit i duhen edhe deputetë të cilët qëndrojnë në sallë në mënyrë që të dilet nga ky ngërç politik, mirëpo partitë opozitare nuk kanë asnjë obligim që të qëndrojnë në sallë për të zgjedhur një president të cilin e imponon ashtu të them një parti politike. Dhe në këtë kontekst, mendoj që zgjedhjet janë të pashmangshme”, u shpreh ish-diplomati.

Duke folur për ndikimin në arenën ndërkombëtare, ai tha se Kosova ndodhet në një moment të ndjeshëm për shkak të ndryshimeve gjeopolitike dhe se vendit i duhet një rreshtim i qartë

“Në anën tjetër, kur flisni për çështjet ndërkombëtare, natyrisht që për Kosovën janë tejet të rëndësishme, sidomos tash kur po i shohim këto ndryshime të egra gjeopolitike. Na duhet rreshtimi i duhur. Por në anën tjetër ne po e vërejmë që kemi edhe probleme ideologjike edhe në kontekstin e rreshtimit dhe prapë po kthehem te intervista e Presidentes. Aty u vërejtën ato dallime ideologjike, përpos këtyre ambicieve personale dhe natyrisht që Kosova qëndron në një pozicion deri diku të vështirë. Mirëpo, t’ju them të drejtën, më mirë është që të pritet pak sesa të kemi një qeverisje apo një politikë të papërgjegjshme në raport me shtetin dhe shtetësinë e Kosovës”, potencoi Canaj.

Canaj kritikoi edhe mënyrën se si ishte caktuar data e zgjedhjeve më 28 dhjetor, duke thënë se presidentja duhet të mbajë rol të balancuar dhe se sipas tij, fajtorë janë Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani.

 “Po shiko, kjo e tregon më së miri se cili ka qenë pozicioni i Presidentes. Domethënë gjithmonë ne e kemi përmendur atë fakt: Presidentja duhet të ketë një politikë të balancuar, Presidentja duhet të jetë një figurë uniteti dhe jo që Kryeministri t’i thotë ‘unë i dua zgjedhjet në këtë datë’ dhe ajo ta caktojë pikërisht në atë datë. Dhe pikërisht për këtë arsye nuk guxon opozita të votojë një president partiak, për shkak se atëherë ne thjesht shkojmë drejt shkatërrimit të një demokracie e cila është ndërtuar. Mund të them lirshëm që ajo që është ndërtuar për 20 vjet në këtë shtet, për 5 vjet po shkon drejt shkatërrimit. Dhe këtë më së miri e sqaron intervista e mbrëmshme e Presidentes dhe t’ju them të drejtën, ajo e sqaroi se kush janë fajtorët e kësaj situate. Dhe këta fajtorë me siguri që kanë emër dhe mbiemër, dhe emri e mbiemri i tyre është Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Dua ta them këtë qartë ashtu që thjesht edhe qytetari ta ketë të qartë këtë”, theksoi ai.

Duke komentuar edhe mandatin e presidentes në arenën ndërkombëtare, Canaj përmendi një intervistë të saj në BBC, të cilën e cilësoi problematike për imazhin e Kosovës.

“Shikoni, në arenën ndërkombëtare ditëve të fundit për shembull ka bërë bujë Bordi i Paqes. Mirëpo, gjithashtu nuk duhet harruar edhe një fakt që Presidentja në momentin kur e ka marrë pozicionin e saj e ka dhënë një intervistë në BBC, nëse nuk gaboj, që ka qenë një katastrofë në vete ku e paraqiste shtetin e saj si shtet të krimit e të tjera e të tjera, saqë na merrte mendja që ne jemi këtu Kolumbia apo çka po di unë. Kjo tregonte mllefin që e ka, dhe qeverisja me mllef natyrisht që në fund bie në këtë pozicion në të cilin e ka sjellë Kosovën”, nënvizoi ai.

Ai shtoi se komunikimi i dobët me qeverinë ka bërë që partnerët ndërkombëtarë të mbajnë më shumë kontakte me institucionin e presidentes.

“Kur flasim për Bordin e Paqes, natyrisht që Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë na e kanë bërë të qartë që meqenëse ne nuk kemi komunikim me zyrën e Kryeministrit dhe me Kryeministrin, do ta mbajmë me Presidenten. Dhe Presidentja ka qenë institucioni, dhe kushdo që të kishte qenë president t’ju them të drejtën do ta kishte pasur ftesën, vetëm pak konstruktivitet po që se do të tregonte. Kështu që, në qoftë se e marrim në përgjithësi këto 5 vite të Presidentes, t’ju them të drejtën nuk janë për t’u lëvduar. Më vjen keq që është kështu sikur që është, mirëpo ne faktikisht e kemi pasur Albin Kurtin edhe President edhe Kryeministër”, shtoi Canaj.

Ndërkaq Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në intervistë për ‘Syri Tv’ ishte e pyetur se çka ndodhi se pse Kurti nuk e propozoi si kandidate për presidente, Vjosa Osmani tha se “nga kryeministri Kurti me erdhi një vlerësim i ri që grupi parlamentar i LVV-së dhe ai personalisht nuk më përkrah”.

Ndërsa,Gjykata Kushtetuese më 09.03.2026 ka vendosur masë të përkohshme, duke ndaluar çdo veprim të presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me dekretin e saj të datës 06.03.2026 për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, si dhe ndalon çdo veprim të Kuvendit të Kosovës.

Ky vendim i Kushtetueses hyrë në fuqi më 09.03.2026 dhe do të jetë në fuqi deri më 31.03.2026.

Të ngjashme