Refugjatët e moshës fëmijërore dhe të mitur, në Zvicër nuk gëzojnë përkujdesje të mirë. Në këtë konstatim ka ardhur Organizata e madhe humanitare e Kishës Katolike, Caritas. Sipas saj, nevojiten përmirësime të theksuara në qasjen me më shumë se 5 000 refugjatë të moshës së mitur, sa ndodhen aktualisht në Zvicër.
Në veçanti sa u përket procedurave, janë gjetur “abuzime flagrante dhe dallime të theksuara në mes të kantoneve” në këtë pikë, shkruan Caritasi në raportin e vet, transmeton albinfo.ch.
Fëmijët refugjatë shpeshherë detyrohen t`u nënshtrohen marrjes në pyetje para autoriteteve, pa qenë të informuar paraprakisht sa duhet mbi procedurën e azilit dhe mbi të drejtat e tyre.
Marrja në pyetje për herë të parë madje shpeshherë bëhet pa praninë e personit të autorizuar, të besueshëm, të cilin fëmijët kanë të drejtë ta kenë pranë. Veç kësaj, metodat për përcaktimin e moshës janë shpesh të dyshimta.