Jamie Carragher, ish-mbrojtësi i Liverpoolit, tash analist i futbollit në “SkySports”, ka thënë se mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka, do ta ketë të vështirë të mbajë shiritin e kapitenit pas përplasjes që kishte me tifozët e klubit.
Xhaka kishte sharë tifozët e kishte hequr fanellën në momentin kur ata e fishkëllenin teksa largohej nga fusha në ndeshjen me Crystal Palacen të dielën në Premier Ligë.
Sipas Carragherit, Xhaka u bë kapiten me përkrahjen e bashkëlojtarëve, por ka thënë se “kjo nuk ishte mënyra më e mirë e përzgjedhjes së kapitenit”.
“Vendimi që Xhaka të jetë kapiten u mor në fillim të sezonit dhe nuk shoh dikë tjetër që ka material për të qenë kapiten. Xhaka është kapiten i shtetit të tij. Por mendoj se mënyra e përzgjedhjes së kapitenit ishte e gabuar, me lojtarët që votonin. Kjo tregon se çfarë mendojnë lojtarët për të. Lojtarët mendojnë se ai duhet të jetë kapiteni. Ndoshta është më i miri që kanë për kapiten. Për këto dy arsye”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, Carragher ka thënë se Arsenalit do t’i bënte mirë nëse e heq shiritin e kapitenit nga Xhaka.
“Mendoj se do të jetë e vështirë ta mbajë tash shiritin. Ndoshta do të ishte më mirë për klubin dhe atmosferën përreth ekipit dhe në stadium që ai të humbë shiritin e kapitenit. Por s’ka asnjë lojtar tjetër që ka material kapiteni, edhe pse nuk mendoj se është lojtari më i mirë, sepse pati një sezon të dobët. Nganjëherë, nëse ngec të gjesh kapitenin, ia jepni lojtarit më të mirë, në këtë rast jepjani shiritin Pierre-Emerick Aubameyangut”, ka shtuar anglezi teksa ka përmendur edhe David Luizin si lider.