Është përmbyllur projekti dyvjeçar “Mjedisi mbështetës për gratë fillestare në biznes në veri dhe në jug të Mitrovicës”, projekt ky i realizuar në partneritet me “D & G Solution” dhe i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku përfituan 33 gra nga të dyja anët e lumit Ibër.
“Projekti kishte për qëllim të kontribuoj në drejtimin të përmirësimit të klimës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social në veri edhe jug të Mitrovicës, përmes përfshirjes së grave në zhvillimin e sektorit privat dhe krijimin e hapësirës mbështetëse për biznese për gratë ndërmarrëse”, ka thënë Vetone Veliu zyrtare në CBM.
Sipas Veliut, në implementimin e këtij projekti shumë me rëndësi që ka dhënë rezultate të mira, pasi tani funksionojnë si biznese që gjenerojnë të ardhura për familjet e veta, ka ndihmuar edhe Komuna e Mitrovicës.
“Mund të themi se projektin ‘Mjedisi mbështetës për gratë fillestare në biznes’, implementuar nga CBM, me mbështetje të Zyrës së BE-së në vendin tonë, janë mbështetur 33 biznese, gjë që ka ndikuar në rritjen e forcës ndërmarrëse dhe në përmirësimin e kualitetit të jetës për familjet e këtyre grave në biznese”, ka thënë Veliu.
Projekti kishte kohëzgjatje dyvjeçare, ndërsa fillimisht është organizuar trajnimi për planin e biznesit dhe janë organizuar vizita studimore në Bujanovc dhe në Gostivar, ku pjesëmarrëset kanë pasur mundësi të njihen edhe mësojnë nga përvojat e bizneseve në këto qytete në Serbi edhe në Maqedoni.
Për grandet nga ky fond zhvillimor prej rreth 225 mijë eurove kanë konkurruar 53 biznese, ndërkohë që fal projekteve dhe planeve të biznesit janë mbështetur 33 prej tyre me shumën nga 2 mijë e 500 euro deri në shumën 7 mijë euro.
Fatmire Musa njëra nga përfitueset është shprehur shumë mirënjohëse edhe falënderuese për grandin që ka përfituar në biznesin e saj familjar–rrobaqepësi, ku ka përfituar pesë makina të reja për qepje që janë moderne dhe që ia lehtësojnë shumë punën.
Po kështu mirënjohëse në mbështetjen me grandin nga ky projekt është treguar edhe Habiba Bushevac nga pjesa veriore e Mitrovicës, e cila fal mbështetjes ka përfituar makina që i ndihmojnë shumë në shtimin e prodhimtarisë në biznesin e saj-dizajnimin, qepjen edhe prodhimin e çantave të ndryshme për femra, ku është mjaft e kënaqur me shitjen.