Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti ka thënë se sipas informatave të pranuara nga Byroja Kosovare e Sigurimit vlerësohet se rreth 25% të makinave që qarkullojnë në rrugët e Kosovës janë të pasiguruara.
Sipas tij, këto automjete çdo ditë e më shumë rrezikojnë jetët e qytetarëve të Kosovës.
“Duke u bazuar në të dhënat e raportuara nga kompanitë e sigurimeve në BQK, gjithsej shuma e primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve për tremujorin e dytë të vitit 2017 është në shumë prej 42.7 milionë eurosh ose 3,4% më shumë në krahasim me periudhën paraprake (qershor 2016 – 41.3 milionë euro). Ky trend i rritjes se primeve të shkruara bruto u shënua në sektorin e sigurimeve “Jojetë”, të cilat në krahasim me periudhën paraprake shënuan rritje prej 2,9%, ndërsa sektori i sigurimeve “Jetë” shënoi rritje në masën prej 18,4%”, ka thënë Mehmeti për gazetën “Zëri”.
“Primet e shkruara bruto në sigurimin e jetës gjatë tremujorit të dytë të vitit 2017, krahasuar me periudhën paraprake, shënuan një rritje prej 18,4%, duke arritur në shumën prej 1.6 milion eurosh, nga 1.4 milion sa ishin në tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Nga gjithsej bruto primet e shkruara, afër 96,3% e primeve përbëhet nga produktet e sigurimit “Jojetë”, ndërsa vetëm 3,7% e primeve përbëhet nga sigurimet “Jetë”. Nga gjithsej shuma e primeve të shkruara bruto nga sigurimet “Jojetë”, rreth 60,6% përbëhej nga sigurimet e detyrueshme, ndërsa 39,4% përbëhej nga sigurimet vullnetare. Edhe pse është shënuar një rritje e lehtë e pjesëmarrjes së sigurimeve vullnetare gjatë vitit 2017 megjithatë ky trend i rritjes së produkteve vullnetare nuk mjaftoi që këto produkte të rrisin pjesëmarrjen e tyre në një masë më të madhe në treg. Megjithatë, vlen të theksohet se produktet e sigurimeve vullnetare akoma mbeten produktet me potencial për rritje dhe zhvillim të tregut të sigurimeve në përgjithësi”, ka vazhduar tutje ai.