Falë Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA), bashkëpunimi ndërmjet palëve është përmirësuar ndjeshëm, duke e thjeshtuar tregtinë dhe duke e bërë atë më transparente, thotë Emir Djikic, drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s.
Studimet tregojnë se kontributi i CEFTA-s në eksportet e palëve vlerësohet ndërmjet 40% dhe 80%. “CEFTA hoqi tarifat dhe kuotat doganore, thjeshtoi rregullat e origjinës, zvogëloi numrin e kontrolleve dhe testeve të shumta si dhe kohën e pritjes në pikat e kalimit”, ka theksuar Djikic, në këtë intervistë të cilën e transmeton Ekonomia Online.
“Qëllimi ynë është të krijojmë kushte të favorshme në politikën tregtare për sektorin e biznesit, si dhe të zhvillojmë konkurrencën e ndershme duke zhbllokuar potencialin që ofron Tregu i Përbashkët Rajonal”.
Djikic citon një studim të Bankës Botërore, sipas të cilit, integrimi ekonomik rajonal i bazuar në marrëveshjen CEFTA mund të kontribuojë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) së Kosovës deri në 5% në vitin 2022.
Në periudhën e ardhshme, Djikic thotë se presin që të kontribuojnë më tej në zhvillimin e tregtisë në CEFTA-s duke ulur kohën e pritjes në pikat e kalimit me 30%, duke përmirësuar kontrollet dhe duke përmirësuar shkëmbimin elektronik të të dhënave, gjë që do të na afrojë me konceptin e “tregtisë pa letra”.
“Për më tepër, ne do të përmirësojmë sistemin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare në rajon, gjë që do të kontribuojë në uljen e barrierave jotarifore”.
INTERVISTA E PLOTË:
Z. Djikic, çfarë roli ka luajtur CEFTA në promovimin e tregtisë, në 15 vitet e fundit?
Falë Marrëveshjes CEFTA, bashkëpunimi ndërmjet palëve është përmirësuar ndjeshëm, duke e thjeshtuar tregtinë dhe duke e bërë atë më transparente. Studimet tregojnë se kontributi i CEFTA-s në eksportet e palëve vlerësohet ndërmjet 40% dhe 80%. CEFTA hoqi tarifat dhe kuotat doganore, thjeshtoi rregullat e origjinës, zvogëloi numrin e kontrolleve dhe testeve të shumta si dhe kohën e pritjes në pikat e kalimit.
Vitin e kaluar, duke qenë viti i parë i zbatimit të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM AP), CEFTA i ka fokusuar përpjekjet e saj në promovimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve në rajon. Së bashku me Komisionin Evropian dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), janë bërë hapa të rëndësishëm drejt afrimit të rajonit me Tregun e Përbashkët të BE-së.
Qëllimi ynë është të krijojmë kushte të favorshme në politikën tregtare për sektorin e biznesit, si dhe të zhvillojmë konkurrencën e ndershme duke zhbllokuar potencialin që ofron Tregu i Përbashkët Rajonal. Një studim i Bankës Botërore tregon se integrimi ekonomik rajonal i bazuar në marrëveshjen CEFTA mund të kontribuojë në rritjen e PBB-së së Kosovës deri në 5% në 2022.
Pra, zoti Djikic, si mund t’i përmblidhni të arriturat kryesore të vitit 2021, në lidhje me marrëveshjen e CEFTA-s?
Sigurisht që kemi nisur procese në transformimin e rajonit në një treg të përbashkët, duke arritur disa qëllime të rëndësishme:
Hyrja në fuqi e Protokollit Shtesë 6 për Tregtinë e Shërbimeve. Përditësimi i rregullave të origjinës, duke i bërë ato më fleksibile për të mirën e operatorëve ekonomikë.
Korridoret e gjelbra u zgjeruan në të gjitha pikat e kalimit kufitar në CEFTA duke siguruar një qarkullim më të shpejtë dhe më të sigurt të mallrave esenciale. Një portal i ri që pasqyron të dhënat mbi përdorimin e iniciativës së Korridoreve të gjelbra dhe kohën e pritjes u publikua për të ndihmuar në monitorimin e politikave tregtare. Kanë filluar, po ashtu, diskutimet për ta zgjeruar atë në shtetet fqinje, anëtare të BE-së.
Ka filluar zbatimi i projektit SEED+. Ai do të mbështesë shkëmbimin e certifikatave të nevojshme për zhdoganimin e mallrave, duke përfshirë e-certifikatat që synojnë të nxisin tregtinë elektronike. Gjithashtu do të mbështesë shkëmbimin e shpejtë të informacionit për ngarkesat me kafshët dhe mallrat që nuk përputhen, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve tanë.
Është finalizuar vendimi për lehtësimin e tregtisë elektronike në CEFTA.
Vendimet për njohjen e programeve të Operatoreve të Autorizuar Ekonomik (OAE) dhe kualifikimeve profesionale janë dakorduar në nivel ekspertësh. Pjesa teknike e procedurave të validimit të OAE është përfunduar për tre vende.
Është bërë progres i rëndësishëm në negociatat e Protokollit Shtesë 7 – Mekanizmin e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, dhe të Vendimit për heqjen e detyrimit për leje pune, për furnizuesit e shërbimeve dhe transferimet brenda kompanive.
Pilotimi i tri Aksioneve të Përbashkëta Doganore (JCA) për kamionët bosh, tregtinë ilegale të duhanit, IPR markë tregtare, si një hap përpara drejt zbatimit të Strategjisë së CEFTA-s për Menaxhimin e Riskut Doganor.
Dhe si i shihni efektet e marrëveshjes CEFTA në të ardhmen e afërt?
Në periudhën e ardhshme, ne presim të kontribuojmë më tej në zhvillimin e tregtisë në CEFTA duke ulur kohën e pritjes në pikat e kalimit me 30%, duke përmirësuar kontrollet dhe duke përmirësuar shkëmbimin elektronik të të dhënave, gjë që do të na afrojë me konceptin e “tregtisë pa letra”. Për më tepër, ne do të përmirësojmë sistemin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare në rajon, gjë që do të kontribuojë në uljen e barrierave jotarifore.
Përmes Protokollit Shtesë 6 të CEFTA-s për Tregtinë e Shërbimeve, ne kemi një mundësi për përmirësimin e klimës së biznesit për kompanitë në sektorin e shërbimeve, përmes njohjes së kualifikimeve dhe licencave profesionale. Përmirësimi i sistemit të tregtisë elektronike në rajon do të ndikojë pozitivisht veçanërisht tek kompanitë e vogla dhe të mesme, të cilat do të mund të shesin më lehtë produktet e tyre. E rëndësishme është që të gjitha këto aktivitete të bazohen në politikat dhe praktikat e BE-së, të cilat përshpejtojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përgatisin ekonomitë tona për Tregun Unik të BE-së.