Republika Çeke dhe Federata Ruse e kanë vazhduar përplasjen e ashpër diplomatike që e nisën në fillim të kësaj jave.
Çekia e paralajmëroi Rusinë se mund t’ia dëbojë rreth 60 diplomatë, nëse nuk e respekton ultimatumin e vendosur një ditë më parë për kthimin e diplomatëve të dëbuar çekë në Ambasadën Çeke në Moskë. Në anën tjetër, Rusia tha se do të hakmerret nëse kjo ndodh dhe se Çekia do ta marrë përgjigjen e duhur.
Ministri i porsazgjedhur i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jakub Kulhanek, tha se dhjetëra pjesëtarë të stafit të Ambasadës Ruse në Pragë do të dëbohen, nëse Rusia nuk e respekton ultimatumin që mbaron të enjten në mesditë për lejimin e kthimit në ambasadë të 20 diplomatëve çekë.
Në një intervistë për një faqe çeke, kryediplomati Kulhanek tha se rreth 60 pjesëtarë të stafit të Ambasadës Ruse do të dëbohen, nëse Moska e injoron ultimatumin, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.Reklamë
Në anën tjetër, Rusia tha të enjten se do të hakmerret ndaj çfarëdo mase të re që merret nga Çekia kundër stafit diplomatik. Mariha Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, e akuzoi Pragën se po bën performanca dhe u zotua se Moska do të kundërpërgjigjet.
“Nëse jemi në rrugën e përballjes, të zgjedhur nga Praga, atëherë do të ketë një përgjigje të duhur”, tha Zakharova për Radion “Govorit Moskva”.
Republika Çeke ka thënë se dëbimi i 20 pjesëtarëve të stafit diplomatik në Moskë e ka paralizuar në mënyrë efektive funksionimin e ambasadës, e cila është më e vogël se Ambasada Ruse në Pragë.