“Do ta vendosim një kufizim për numrin e diplomatëve në Ambasadën ruse në Pragë, sipas nivelit aktual të të angazhuarve në Ambasadën tonë në Moskë”, ka thënë Kulhanek. “Nuk dua që ta përshkallëzoj situatën pa nevojë… por Republika Çeke është një vend me vetëbesim dhe do të veprojë si e tillë. Veprimi nuk është i synuar kundër rusëve apo shtetit rus, por është një reagim për aktivitetet e shërbimeve sekrete ruse në territorin tonë”
Republika Çeke ka urdhëruar të enjten Rusinë që ta tërheqë shumicën e stafit të saj të mbetur diplomatik në Pragë, në përshkallëzimin më të fundit të përplasjes më të rëndë midis dy shteteve ndër dekada.
Rusia ka paralajmëruar menjëherë përgjigje të ashpër ndaj veprimit.
Përplasja rreth spiunazhit ka marrë hov të shtunën, kur Praga zyrtare ka dëbuar 18 pjesëtarë të stafit diplomatik rus, të cilët vendi i kishte identifikuar si zyrtarë të Inteligjencës. Shteti ka bërë të ditur se dy spiunët rusë të akuzuar për rastin e helmimit me agjent nervor në Britani të Madhe më 2018 qëndronin gjithashtu prapa shpërthimit në një depo çeke municioni më 2014, në të cilin jetën kishin humbur dy persona. Moska zyrtare i ka hedhur poshtë akuzat çeke, ndërsa të dielën ka urdhëruar dëbimin e 20 pjesëtarëve të stafit çek, si kundërpërgjigje.
Vendimi i së enjtes, i publikuar nga ministri i Jashtëm, Jakub Kulhanek, i kërkon Rusisë që ta barazojë numrin e stafit me atë të të dërguarve çekë në Moskë, në atë që nënkupton se Moska do të duhet që t’i largojë rreth 20 diplomatë dhe dhjetëra pjesëtarë të tjerë të stafit nga Praga deri në fund të majit.
“Do ta vendosim një kufizim për numrin e diplomatëve në Ambasadën ruse në Pragë, sipas nivelit aktual të të angazhuarve në Ambasadën tonë në Moskë”, ka thënë Kulhanek. “Nuk dua që ta përshkallëzoj situatën pa nevojë… por Republika Çeke është një vend me vetëbesim dhe do të veprojë si e tillë. Veprimi nuk është i synuar kundër rusëve apo shtetit rus, por është një reagim për aktivitetet e shërbimeve sekrete ruse në territorin tonë”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë se Moska do të përgjigjet ndaj vendimit shumë shpejt.
“Aktualisht Praga është rrugës për t’i shkatërruar marrëdhëniet”, ka thënë ajo, gjatë konferencës së saj javore për media.
Në kohën e tensioneve të thelluara në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, përplasja ka nxitur NATO-n dhe Bashkimin Evropian që të rreshtohen në mbështetje të Republikës Çeke, e cila është anëtare e që të dy blloqeve.
“Aleatët shprehin shqetësim të thellë për veprimet destabilizuese që Rusia vazhdon t’i ndërmarrë përreth rajonit euroatlantik, si dhe në territoret aleate, dhe është në solidaritet të plotë me Republikën Çeke”, është bërë e ditur në një deklaratë të përbashkët të 30 aleatëve në NATO.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Moska e konsideron veprimin e Pragës si “histeri”.
Javën e kaluar Moska ka dëbuar gjithashtu nga vendi diplomatë të Bullgarisë, Polonisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkaku i largimit të stafit të saj nga vendet.
Presidenti, Vladimir Putin, ka paralajmëruar të mërkurën fuqitë perëndimore që të mos i kalojnë “vijat e kuqe” me Rusinë, duke theksuar gjatë adresimit të tij vjetor para kombit, se Moska do t’i bënte ata që të pendoheshin.
Praga zyrtare ka njoftuar se largimi i 20 pjesëtarëve të stafit faktikisht ka paralizuar funksionimin e Ambasadës së saj në Moskë, e cila është më e vogël sesa misioni rus në Pragë.
Shërbimi çek i kundërinteligjencës ka paralajmëruar vazhdimisht se misioni rus në vend ka shërbyer si bazë për aktivitetet e Inteligjencës dhe se madhësia e saj e kishte vështirësuar punën për reduktimin e këtyre aktiviteteve.
Dy të dyshuarit e identifikuar nga Praga për lidhje me shpërthimin në depon e municioneve, të njohur si Ruslan Boshirov dhe Alexander Petrov, raportohet të jenë pjesë e njësisë elite 29155 të shërbimit të inteligjencës ushtarake GRU të Rusisë. Britania e Madhe i kishte dënuar ata në mungesë për tentim-vrasje, pas helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe të bijës së tij me agjentin nervor Novichok në qytetin anglez Salisbury, më 2018.