Çeku promovon librin për Lëvizjen Shqiptare për Pavarësi, sfidon interpretimet e historiografisë serbe

Prishtinë | 24 Qer 2026 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Historiani dhe ish-ministri Ethem Çeku ka promovuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” librin e tij më të ri, “Lëvizja Shqiptare për Pavarësi – Politika, Kryengritjet dhe Diplomacia (1908–1912)”, në të cilin trajton zhvillimet politike, kryengritjet dhe aktivitetin diplomatik të shqiptarëve në vitet që i paraprinë shpalljes së pavarësisë, raporton Ekonomia Online.

Sipas autorit, libri synon të ofrojë një qasje të mbështetur në burime shkencore dhe arkivore për një nga periudhat më të rëndësishme të historisë kombëtare, si dhe të shërbejë si kundërpeshë ndaj interpretimeve të njëanshme të historiografisë serbe për shqiptarët.

Çeku tha se angazhimi i tij kërkimor në këtë periudhë lidhet me nevojën për një trajtim më kritik dhe shkencor të historisë shqiptare.

“Angazhimi im i thelluar në këtë periudhë historike, si dhe botimi i punimeve në revista prestigjioze dhe në shtëpi botuese me standarde të larta akademike, lidhet me synimin për të ofruar një kundërpeshë shkencore ndaj interpretimeve të njëanshme të historiografisë serbe për shqiptarët. Nga zanafilla e nacionalizmit shqiptar, deri në zhvillimet bashkëkohore, kjo historiografi ka ndërtuar shpeshherë një narrativë politike dhe ideologjike që kërkon rishqyrtim kritik, mbështetje në burime të verifikueshme dhe trajtim sipas metodologjisë bashkëkohore të shkencës historike”, tha ai.

Duke folur për autorët serbë që kanë trajtuar periudhën e pavarësisë shqiptare, Çeku vlerësoi se një pjesë e madhe e tyre kanë ndjekur qasje ideologjike dhe antishqiptare.

“Studiuesit Jovan Cvijić, Vasa Čubrilović, Vladan Đorđević, Milorad Ekmečić, Dušan Bataković, Jovan Hadži-Vasiljević, Dimitrije Bogdanović, Anastasije Urošević dhe Radovan Samardžić përfaqësojnë krahun kryesor të historiografisë serbe që ka trajtuar këtë periudhë nga perspektiva e interesave kombëtare serbe. Në shumicën e rasteve, këta autorë kanë ndjekur një qasje ideologjike antishqiptare dhe një frymë nihiliste ndaj së kaluarës historike të shqiptarëve, duke minimizuar rolin e tyre në zhvillimet rajonale dhe duke mohuar legjitimitetin e kërkesave të tyre për autonomi dhe shtetformim”, tha ai.

Autori theksoi se libri fokusohet në çështje që, sipas tij, ende kërkojnë trajtim më të thelluar në historiografinë shqiptare, me theks të veçantë në ndikimin e Revolucionit Xhonturk te shqiptarët.

“Kërkimet e mia shkencore në këtë libër janë përqendruar në çështje që, ndonëse janë prekur nga historiografia shqiptare, ende kërkojnë trajtim më të thellë, më të plotë dhe më të mbështetur në burime arkivore. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar ndikimit të Revolucionit Xhonturk mbi shqiptarët dhe rolit që luajtën disa përfaqësues të elitës politike shqiptare në këtë proces. Krahas analizës së këtij bashkëpunimi fillestar, në këtë libër shqyrtoj edhe faktorët historikë, ideologjikë dhe strategjikë që ndikuan në formësimin e bindjes së elitës shqiptare për të mbështetur Revolucionin Xhonturk gjatë fazës së tij të parë”, tha ai.

Përmes këtij botimi, Çeku sjell një vështrim të detajuar mbi organizimin politik, kryengritjet dhe diplomacinë shqiptare në vitet 1908–1912, periudhë që parapriu shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe formimin e shtetit shqiptar.

Të ngjashme