Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka uruar komunitetin egjiptian me rastin e 24 Qershorit – Ditës Memoriale të komunitetit egjiptian, duke vlerësuar kontributin e tij në proceset historike dhe shtetndërtuese të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi tha se kjo ditë, përveç karakterit përkujtimor dhe festiv, shërben edhe si thirrje për vazhdimin e angazhimit drejt barazisë, dinjitetit dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.
“Sot para jush kam kënaqësinë t’ju uroj në 24 Qershorin, Ditën Memoriale të komunitetit egjiptian. Kjo ditë, përtej karakterit të saj përkujtimor dhe festiv, përfaqëson një thirrje për komunitetin tonë që të vazhdojmë të punojmë dhe të angazhohemi drejt arritjes së barazisë shoqërore, mundësive të barabarta dhe dinjitetit për çdo qytetar. Dua të theksoj se komuniteti egjiptian ka qenë në çdo fazë të historisë sonë krah shumicës shqiptare, në rezistencën paqësore, në luftën për liri, në procesin e pavarësisë së Kosovës dhe do të vazhdojë të japë kontributin e tij të çmueshëm në zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë”, tha ai.
