Deklaratën e zv.kryeministrit, Besnik Bislimit se janë dakorduar me palën serbe për hapjen e arkivave të UÇK-së po e quan të papërgjegjshme, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Lirak Çelaj.
Çelaj ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online se ato arkiva nuk ekzistojnë dhe është e gabueshme të barazohet hapja e arkivave serbe me ato të UÇK-së.
“Konsideroj që është deklaratë dhe marrëveshje e papërgjegjshme, për faktin se po i referohet diçka që nuk ekziston ose nuk ekziston e mbyllur. Ato pak arkiva që mund të kenë mbijetuar prej luftës që i përkasin UÇK-së, ato tani më janë të hapura, por edhe fakti që po barazon hapjen e arkivave serbe me ato të UÇK-së e ushtria serbe ka kryer gjenocid dhe dihet mirë që ata i kanë asgjësuar ato arkiva të cilat dëshmojnë krimin dhe gjenocidin në Kosovë”, është shprehur ai.
Sipas Çelajt kjo deklaratë do të shkaktojë dëme të mëdha vendin dhe do t’i mundësoj shtetit serb të thirret në këtë të pavërtetë.
“Kjo tregon që është një papjekuri. Ka barazua diçka që nuk mund të barazohet dhe ka shkaktuar një dëm shumë të madh. Ju ka dhënë një argument shumë të madh të palës serbe e cila vazhdimisht tani do të thirret që në këto arkiva jo ekzistuese sepse vet ministri e ka aprovuar e ka pranuar një gjë të tillë për diçka që nuk është”, ka shtuar ai.
Për Çelajn dëm i madh do t’i bëhet edhe vet krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen nga Specialja.
“Praktikisht është një disfatë diplomatike nëse mund të them në raport me Serbinë, aq më shumë dëmi tjetër që i është bërë me këto deklarata është sepse kjo mund të përdoret si argument për ata që tani po gjykohen në Hagë dhe kjo mund të zvarritë procesin, mund t’i jap Prokurorisë argumente shtesë gjoja për të hulumtuar, për të përcjellë telashe të reja”.
“Në bazë të pavërtetave është nisur kjo Gjykatë, është nisur fillimisht nga gjoja për Shtëpinë e Verdhë dhe trafikim me organe njerëzore dhe tani nuk ekziston asnjë akuzë, kjo ka qenë vetëm shkas dhe kam frikë se edhe këtu do të përdoret si shkas për gjëra tjera”, ka përfunduar ai për EO.
Bislimi gjatë së enjtes në një konferencë për medie ka thënë se është dakorduar me palën serbe që të hapen të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me UÇK-në.