Për dallim nga disa komuna që janë deklaruar kundër hapjes së çerdheve prej 1 qershorit, me arsyetimin se janë zënë të papërgatitura për hapjen e tyre, në komunat e Pejës, Istogut, Klinës dhe Deçanit, do të respektohet vendimi i Qeverisë në detyrë për hapjen e tyre.
Ato, publike e private, do të hapen nga dita e nesërme, e disa të tjera në ditët në vijim.
posa ta bëjnë dezinfektimin e objekteve dhe të ndërmarrin masat e nevojshme mbrojtëse.
“Së pari duhet të bëhet dezinfektimi i objekteve. Ne si Drejtori e kemi bërë dezinfektimin e tyre gjatë periudhës së pandemisë, por tash do ta bëjmë prapë dhe brenda kësaj jave besoj që do të hapen dy çerdhet publike, në të cilat janë mbi 300 fëmijë”, tha për KOHËN drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj. Për dallim nga Peja që ka aktualisht vetëm dy çerdhe publike dhe tetë private, në Istog janë pesë çerdhe publike dhe një private, të cilat siç tha drejtori i Arsimit në Istog, Hajrush Shoshi, do të përgatiten dhe gjatë javës do të hapen edhe ato. Të martën pritet të hapen edhe çerdhet në Klinë e Deçan.
“E kemi planifikuar që ta bëjmë sot dezinfektimin e çerdheve dhe marrjen e masave mbrojtëse dhe prej nesër ose pasnesër do të hapen çerdhet. Në qytetin e Klinës kemi vetëm një çerdhe publike, kurse çerdhe private ka vetëm një dhe ajo gjendet në fshatin Zllakuqan”, tha drejtori i Arsimit në Klinë, Enver Gashi. Për dallim nga Peja, Istogu e Klina, në Deçan nuk ka asnjë çerdhe publike që menaxhohet nga komuna, respektivisht nga Drejtoria e Arsimit.
“Në Deçan e kemi vetëm një çerdhe dhe ajo është çerdhe publiko-private. Sot një komision komunal do të shkojë ta kontrollojë objektin se a është i gatshëm për t’ia nisur punës dhe a është dezinfektuar. Nëse është i gatshëm, mund t’ia nis menjëherë punës”, tha drejtori i Arsimit në Deçan, Bekim Vishaj. Megjithëse në këto katër komuna do të respektojnë vendimin e Qeverisë në detyrë për hapjen e çerdheve, ato kanë shprehur kritikat e tyre për vendimin e sjell në orët e vona dhe mosdërgimin e vendimit zyrtar me kohë.
“Vendimet që i ka marr Qeveria po i merr natën dhe ne nuk po i kemi informatat zyrtare, por ne po njoftohemi nga rrjetet sociale dhe mediat. Unë si kryesues i Kolegjiumit të Arsimit në Asociacionin e Komunave, kam pranuar shumë ankesa nga drejtorët e Arsimit dhe kryetarët e komunave për shkak se zyrtarisht nuk kanë marrë asnjë protokoll për këtë vendim”, tha drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj.
Me apo pa protokolle zyrtare, çerdhet private po i gëzohen mundësisë së hapjes së çerdheve.
“Mbrëmë kemi marrë nga Ministria e Arsimit udhëzuesin e përgatitur nga UNICEF-i, që paksa na ka dhënë udhëzimet dhe drejtimet e punës në rrethana të reja. Ne si institucion i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e kërkuara për të garantuar sigurinë e fëmijëve dhe stafit, dhe prej të martës më 2 qershor jemi të gatshëm për të pritur fëmijët, duke shpresuar që ndërkohë institucionet do japin informacione shtesë se si do funksionojnë çerdhet, pasi ende ka disa paqartësi”, thotë Sindorela Ulaj, pronare e një çerdhe në Pejë. Mirëpo, kjo periudhë e pandemisë siç tha ajo, u ka shkaktuar shumë dëme çerdheve private, pasi sipas saj, pranvera është sezoni i punës, derisa verës u bie puna. Kështu që aktualisht kanë dhe probleme financiare se si t’i paguajnë punëtorët dhe qiratë.
“Gjatë tre muajve i kemi ende të pazgjidhura çështjet e pagesave për mësueset dhe për qiratë. Për çka duhet kërkuar të gjejmë mirëkuptim në periudhën në vazhdim me stafin e punëtorëve dhe pronarin e objektit, sepse biznesi në këtë sektor mbetet i paqartë me verën që gjithmonë ka rënie në pune dhe vjeshtën e dimrin kur shfaqen viruset e zakonshme, por edhe që nuk dihet si vazhdon, nëse shfaqet prapë koronavirusi”, u shpreh ajo.