Ceremonitë në të cilat shpallen më të mirët e vitit vazhdojnë të jenë ngjarjet kryesore të sportit në vend gjatë muajit dhjetor të secilit vit. Dhjetori aktual nuk dallon nga të kaluarit. E njëjtë, në të shumtën e rasteve, është edhe mënyra e organizimit të ceremonive, mënyra e vlerësimit e po ashtu shpallja e më të mirëve.
Tashmë organizime për shpërblimin e më të mirëve kanë mbajtur shumë federata sportive e po ashtu shumë komuna. Prizreni, Skenderaj, Ferizaj ishin prej komunave që kanë shpërblyer më të mirët e vitit 2018 në ditët e fundit. Ceremoni dukshëm më të madhe ka mbajtur Federata e Futbollit të Kosovës, si federata më e madhe në vend. Të tjera federata e komuna do të mbajnë ceremoni në javën e fundit të dhjetorit e ndonjë edhe në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm, shkruan sot Koha Ditore.
Thuajse të gjitha ceremonitë e kanë një të përbashkët – numrin e madh të personave të pakënaqur që largohen prej tyre. Kjo në shumë raste ka të bëjë me aspirata për t’u zgjedhur më të mirët, aspirata që shpesh nuk janë të bazuara në rezultatet e arritura.
Por edhe lëshimet në mënyrën e përzgjedhjes janë thuajse gjithnjë prezent. Jo të gjithë bëjnë përzgjedhje të pavarur, përzgjedhje të bazuar në rezultatet e arritura. Jo gjithnjë zgjidhen më të mirët. Për shembull ka raste kur një klub apo një sportist zgjidhet më i miri në nivel të vendit, ndërsa në një komunë nuk zgjidhet më i miri. Ka akuza që komunat në raste vendosin për sportistë apo klubet që janë më të afërt me drejtues komunalë, ndërsa akuza e ankesa ka edhe për përzgjedhjen që bëjnë federatat sportive.