Kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi, thotë se zgjedhjet e 6 tetorit do të sjellin një ndryshim rrënjësor në politikën kosovare.
Çerkezi në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se partitë politike që kanë qeverisur në këto 20 vjet paslufte kanë dështuar të sjellin shpresë për qytetarët.
“Që nga themelimi i Lëvizjes për Drejtësi gjatë një viti kemi mbjell frymën tek elektorati ynë që Kosova ka nevojë një here mirë për ndryshim. Që nga paslufta e deri më sot qeverisjet në Kosovë thuajse kanë mbajtur të njëjtën vi, të njëjtin qëndrim dhe të gjitha këto sjellin pakënaqësi te qytetarët, pavarësisht klientelizmit, ose pavarësisht fshehjes së qeverive nën petkun e faktorit ndërkombëtar, por sigurisht pasojat kryesorë kanë qenë te qytetari”, thotë ai.
Ai thotë se për këtë qëllim, partia që ai drejton i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që beson se ndryshimi mund të vijë vetëm me Albin Kurtin, kryeministër.
“I vetmi subjekt politik i cili ofron një ndryshim rrënjësor, i cili nuk është provuar akoma me qeverisje ka qenë Vetëvendosja dhe kemi vendosur që t’i bashkëngjitmi, në radhë të parë vlerave të Albin Kurtit, si kandidat për kryeministër dhe pastaj edhe si subjekt Vetëvendosje. Të shohim objektivat dhe synimet të cilat i kanë pretenduar gjatë gjithë kohës në opozitë, është koha që të sjellin ndryshim dhe kësaj kauze iu kemi bashkuar edhe ne, sepse vërtet jemi për ndryshim dhe ndryshimi nuk bëhet me njerëz të njëjtë, ose me parti të njëjta, pavarësisht ndërrimit të kryetarëve të subjekteve politike, por programet politike janë të njëjta dhe fryma e partive politike është e njëjtë. Ndërsa Vetëvendosje është krejtësisht ndryshe dhe me partitë ndryshe dhe me liderë ndryshe besoj që vjen edhe ndryshimi”, thotë ai.
Çerkezi që është edhe kandidat për deputet, thotë se ishte kërkesë e elektoratit të kësaj partie që të shkohet në koalicion me Vetëvendosjen.
“Pjesa dërmuese e elektoratit është për ndryshim dhe sigurisht që elektorati është pjesë e ndryshimit. Edhe elektorati ynë ka qenë në të njëjtën frekuencë që në Kosovë ka nevojë të ndryshohet. Fakti është që politika kosovare ka nevojë të futet në stabilitet. Mjaft me sajesa. Kur kemi parasysh që në Kosovë që nga paslufta e deri më sot vetëm për shkak të zgjedhjeve të parakohshme i kemi humbur 4 vjet”, thotë ai.
Lideri i Lëvizjes për Drejtësi, ka komentuar edhe debatet ndërmjet partive politike dhe kandidatëve tyre, të cilin e quan si jo të sinqertë dhe të padobishëm.
“Është banalizuar debati dhe në fakt ky nuk është debat, por zierje mesvete. Zihen duke vjell vrer mbi njëri tjetrin për të kaluarën dhe absolutisht nuk iu ofrojnë qytetarit një program se cilat janë ato që duhet të arrijnë. Aq më tepër pastaj në vlerë të sinqeritetit apo moralit politik. Nuk mundem ta pranoj dhe kuptoj që në qoftë se kemi qenë në koalicion, ose marrim qeverisjen e kaluar, ku kanë qeverisur 4 subjekte politike dhe sot akuzojnë njëra-tjetrën, se ju keni bërë këtë, ne kemi bërë atë. Dhe unë besoj që këta janë të gjithë bashkëfajtorë”, thotë ai.
Sylejman Çerkezi dhe Beni Kizolli, janë dy kandidatët e Lëvizjes për Drejtësi që në zgjedhjet e 6 tetorit garojnë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.