Kryesuesi i sekretariatit në PZAP-së, Musë Desku në një përgjigje për Ekonomia Online, ka thënë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pasdite do të marrë vendim lidhur me ankesat e subjekteve politike për moscertifikimin e listave me kandidatët për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
“Sot pas dreke publikohet vendimi” tha Desku.
Se do të merret vendimi sot, në PZAP kanë njoftuar edhe përmes faqes zyrtare.
“Përmes këtij njoftimi informojmë të gjitha mediat e Republikës së Kosovës e me gjerë se, PZAP-i përmes Faqes zyrtare dhe facebook të tij zyrtar, do të ju informoj në afatin më të shpejtë të mundshëm për vendimet që do ti marrë lidhur me Apelet e paraqitura nga subjektet politike kundër vendimit te KQZ-së, për mos certifikim të subjekteve politike dhe kandidateve. Afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre apeleve është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre apeleve nga palët në PZAP që i bie se vendimet do të merren deri nesër me date 26 janar 2021”, thuhet në njoftim.
Ditë më parë Desku ka bërë të ditur se në total janë dorëzuar nëntë ankesa nga subjektet politike, që lidhen kryesisht me moscertifikimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“1.Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK) – Për shkak mos certifikimit të Listës së Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja; 2.Partia e Ashkalive për Integrim (PAI) – Ka sjellë 3 (tre) apele, dy janë në emër të subjektit politik dhe njëra në emër të një Kandidatit për shkak të mos certifikimit të tij në listë nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. 3.PREBK, për shkak te mos certifikimit të një Kandidate nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. 4. Socialdemokratska Unija – Duda Balje, për shkak te ndodhjes se një Kandidate shqiptar ne listën e subjektit te saj. 5. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK-ja, Për shkak mos certifikimit të Listës se Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja. 6. Nisma Socialdemokrate-NISMA, Për shkak mos certifikimit të subjektit politik dhe Listës së Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja. 7. Lëvizja Vetëvendosje! Për shkak te mos certifikimit të Listës se Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja”, pati thënë Desku.