Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka bërë certifikimin e pjesëmarrësve në trajnimet: Edukimi në Karrierë, Këshillimi në Karrierë dhe Kompetenca Digjitale, në kuadër të projektit “Aftësim për tregun e punës”, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, ministrja Arbërie Nagavci ka thënë se si shkak i bashkëpunimit 15-vjeçar me shtetin Gjerman, sistemi i arsimit në Kosovë është përmirësuar dukshëm.
Ajo ka thënë se falë këtij bashkëpunimit tashmë janë 1400 drejtorë të shkollave që janë të trajnuar në udhëheqjen arsimore nëpërmes programeve të mbështetur nga GIZ-i
“Jam e lumtur që jemi mbledhur bashkë jo vetëm për të shënuar 15 vjetorin e suksesshme të bashkëpunimit tonë, por edhe një sukses të radhës certifikimin e mësimdhënësve. Në qeverinë e Kosovës dhe në Ministrin e Arsimit përmirësimi i cilësisë së arsimit është nderë prioritetet madhore. Ne e vlerësojmë mbështetjen e GIZ-it në këtë projekt. Fal bashkëpunimit tonë të frytshëm, ne kemi tashmë 1400 drejtor të shkollave që janë të trajnuar në udhëheqjen arsimore nëpërmes programeve të mbështetur nga GIZ-i, kemi 5000 mësimdhënës të trajnuar në didaktikë, metodologji dhe lëndë shkencore, kemi 500 mësues, 2500 nxënës dhe mbi 300 prindër që janë përfitues nga masat e ngritjes së kapaciteteve për të lehtësuar kalimin në arsimin dhe aftësimin profesional. 70 pedagog dhe psikolog shkollor të trajnuar për këshillim në karrierë. I kemi 21 komunitete të mësuarit së bashku, me përfshirjen e 100 shkollave të përfshira në këto komunitete. Në mbështetjen e infrastrukturës, kemi bërë shpërndarjen e 2000 tabelave të zeza dhe 20 tabelave të mençura, shpërndarjen e 1000 laptopëve dhe pajisjeve të tjera shkollore, krijimin e 520 këndeve miqësore për nxënësit”, ka thënë Nagavci.
Ndërkohë, Ambasador i Ambasadës Gjermane në Kosovë, Jörn Rohde, tha se në 15 vitet të bashkëpunimit në sektorin e shkollimit fillor, qeveria gjermane ka mbështetur institucionet Kosovare në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përmirësimin e mundësisë së punësimit të të rinjve.
“Sot shënon një pikë e rëndësishme në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt përmirësimit të sektorit arsimor. Në 15 vitet tona të bashkëpunimit në sektorin e shkollimit fillor qeveria gjermane ka mbështetur institucionet Kosovare në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përmirësimin e mundësisë së punësimit të të rinjve. Duke kontribuar rreth 35 milion euro për të ofruar një shkollim të përmirësuar. Së bashku kemi themeluar bazën ligjore për të rregulluar sektorin parauniversitar. Kemi krijuar mekanizma për zhvillimi profesional për mësimdhënësve ku më shumë se 1400 mësimdhënës e drejtorë kanë përfituar nga masa e aftësimit profesional. Më shumë se 5 mijë mësimdhënës kanë përmirësuar shkathësitë tyre te mësimdhënies. Kemi themeluar sistemin e licencimit, kemi riintegruar të kthyerit dhe pakicat kombëtare në arsimin formal dhe kemi zbatuar masa për të adresuar çështjen e braktisjes, më shumë se 70 mijë nxënës kanë përfituar”, theksoi Rohde.
Shpresa Shala, drejtoreshë e shkollës “Xhemail Mustafa” tha se është e lumtur që si shkollë janë përfitues të dy projekteve dhe se bashkëpunimi me GIZ-in ka bërë që shkolla e tyre të kaloj në një nivel tjetër sa i përket aftësimit profesional.