Lajmi më i rëndësishëm që ka dalë pas takimit prej gjashtë orësh të dy ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në prezencën edhe të negociatorit të posaçëm të OKB, Mathiu Nimetz, ka qenë se në samitin e lartë të BE-së në 17 maj në Sofje do të takohen dy kryeministrat Tsipras dhe Zaev, për të biseduar për çështjen e emrit të fqinjit verior të Greqisë.
Madje lajmin e ka dhënë vetë negociatori i OKB, pasi Kotzias dhe Dimitrov që janë takuar më shumë se shtatë herë në tre muajt e fundit, nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike.
Burime diplomatike nga të dy vendet kanë lënë të nënkuptohet se dy palët në takimin e fundit kanë bërë më shumë hapa pozitive se herët e tjera dhe ky është fillimi, thonë ato, për një marrëveshje përfundimtare që duket dhe larg dhe afër, në varësi të negociatave që do vijojnë.
Qasje më të madhe deri tani, dy palët thuhet se kanë tek gjetja e emrit, ku varianti “Nova Macedonija” besohet se është më i mundshëm se të tjerët, por ende nuk bëhet e qartë diagrama se kur do të përdoret brenda dhe jashtë nga qeveria e Shkupit.
Kjo ka sjellë në plan të parë edhe takimin e dy kryeministrave pas disa ditësh në mënyrë që të krijohet një bazë kryesore për të ecur me dy kërkesat e tjera kryesore që ka Greqia, për sa i përket ndryshimit të disa neneve në kushtetutën e shtetit fqinj –ato ku përcaktohen kombësia dhe gjuha.
Burimet diplomatike kanë thënë se ka një mundësi që t’i lihet kohë IRJM që këto ndryshime të pranohen nga opinion publik dhe nga forcat politike parlamentare, ndaj dhe dy palët po punojnë pikërisht për gjetjen e metodologjisë që do të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.