Çështja e emrit të Maqedonisë drejt fazës përfundimtare

Prishtinë | 10 Pri 2018 | 15:56 | Nga

Pas paralajmërimit të takimit të ri mes ministrave të Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov dhe atij grek, Nikos Kotzias, më 12 prill në Ohër, dhe deklaratave optimiste të kryeministrit Zoran Zaev, vlerësohet se çështja e emrit të Maqedonisë po shkon drejt përfundimit.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, në një intervistë për agjencinë maqedonase të lajmeve, MIA, theksoi se beson se negociatat janë në drejtimin e duhur dhe se ky proces po afrohet deri në momentin kur duhet të vijojnë takimi midis tij dhe homologut grek, Aleksis Cipras.

“Kjo do të thotë se përparimi në bisedimet ka arritur deri në nivelin që të kalohet edhe në nivel të kryeministrave të shteteve. Nëse qytetarët mësojnë se do të caktohet një takim Zaev-Cipras, kjo do të thotë konfirmim konkret praktik se negociatat janë në drejtimin e duhur dhe se është e mundur të arrihet deri në zgjidhje. Unë besoj se kjo është e mundur, unë besoj se është mirë për Maqedoninë që të ndodh sa më shpejt që është e mundur sepse kjo për ne do të thotë garanci e kompletuar për marrje të datës për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, por edhe ftesë automatike për anëtarësim në NATO”, thotë kryeministri Zaev.

Ai e përsëriti qëndrimin se për të, vijat e kuqe në negociatat janë ruajtja e dinjitetit dhe identitetit, që do të thotë zgjidhje dinjitoze për të dyja palët.

“Besoj se përkushtimi i deritanishëm i procesit, hapat të cilat janë treguar, mundësojnë lëvizje. Dhe po lëvizim. Ka hapa pozitivë nga Vjena për të cilin besoj se do të rrumbullakoset në mënyrë shtesë më 11 dhe 12 prill, në takimin e ardhshëm midis ministrave. Në fund të prillit, ose ndoshta në fillim të majit është e mundur të kemi takim në nivel kryeministror. Kjo natyrisht varet nga të dyja palët. Por, duhet të dinë qytetarët, me rëndësi është çështja, shumë me rëndësi, por jo me çdo kusht”, theksoi kryeministri Zaev.

Ai thekson se në lidhje me zgjidhjen e mundshme, pret qasje konstruktive edhe nga ana e opozitës dhe nga presidenti i shtetit, nëse interesat kombëtare i vënë mbi gjithçka, pa dallim përkatësish politike, ndërsa suksesi eventual, thotë do të ishte sukses për të gjithë ne, së bashku.

Zaev është i drejtpërdrejtë se në negociatat për emrin nuk do të ketë buldozerë diplomatikë midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe se për një zgjidhje të tillë vlen të sakrifikohet edhe karriera politike. Ai thekson se edhe anëtarësimi në NATO nuk është i mundur pa zgjidhjen për emrin, që i është thënë nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg dhe prandaj është i bindur se ”duhet të jemi 100 për qind të fokusuar në hapjen e perspektivave të vendit tonë”.

Pas takimit Dimitrov-Kotzias në Ohër, i sigurt është takimi i ri i kreut shtetëror-politik për emrin. Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickovski pret që takimi të mbahet fundjavën që po afrohet.

Javën e ardhshme më 17 prill, KE-ja do të bëjë publik projektraportin për avancimin e vendit, në të cilin qeveria pret të marrë rekomandim pa kusht për fillimin e negociatave.

Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani në fillim të muajit deklaroi se nga projektraporti i ardhshëm pret vlerësim të të gjithë punës së deritanishme dhe rekomandim të pastër për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Një ditë pas publikimit të projektraportit të KE-së në Bruksel, në Shkup do të mbërrijë përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë e BE-së, Federica Mogherini dhe eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Sipas paralajmërimeve të qeverisë maqedonase, të dy do të marrin pjesë në Samitin dixhital për Ballkanin Perëndimor, mikpritës i të cilit do të jetë Shkupi.

Përveç kërkesës në lidhje me zbatimin e reformave, të dy pritet t’i inkurajojnë autoritetet në Maqedoni dhe në Greqi për gjetjen e zgjidhjes për kontestin për emrin.

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias, në një intervistë gjatë fundjavës për gazetën gjermane “Der Spiegel” deklaroi se dallimet në Shkup mund të zgjidhen me guxim.

“Dallimet me Shkupin janë probleme me karakter historik, identitar, trashëgimor dhe kulturor. Këto çështje janë të ndjeshme. Por mund të zgjidhen me guxim, siç bëjmë tani. Megjithatë, me Turqinë kemi probleme me pretendime gjeostrategjike dhe gjeopolitike”, tha shefi i diplomacisë greke në intervistën për gazetën gjermane.

Në ndërkohë, mediat greke njoftuan se bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit grek Aleksis Cipras mendojnë që marrëveshja eventuale për emrin në Parlamentin grek të votohet me shumicë të madhe prej 180 deputetëve, në vend të 151 deputetëve të deritanishëm, që si propozim tanimë është në tryezë.

Në një bisedë me korrespondenten e MIA-s në Athinë, shkrimtari grek, historiani, gazetari, ish-këshilltar i disa kryeministrave grekë dhe ish-kryetar i “Shoqatës për studime të Maqedonisë greke”, Nikos Merxos deklaroi se është e nevojshme të gjindet zgjidhje e problemit me emrin dhe me një marrëveshje të ndershme nuk do të ekzistojnë ndarje.

“Është e nevojshme të gjendet një zgjidhje. Pikë. Kjo është dashur të përfundojë që në vitin 1992-1993. Atëherë kam biseduar unë me Gligorovin, ishim shumë të afërt. Duhet të gjejmë zgjidhje dhe një popull të mos e kapërcejë tjetrin. Veçanërisht më i fuqishmi të mos e fyejë më të dobëtin, por edhe më i dobëti të tregojë mirëkuptim, të tregojë miqësi reale. Unë jam i sigurt, jam i bindur, nga ajo që e kam kaluar në jetë, se nëse arrihet marrëveshje, me marrëveshje të ndershme, për 20 vjet nuk do të ekzistojnë kurrfarë ndarje”, sqaron Merxos.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme