Kancelarja gjermane në largim viziton edhe njëherë Ballkanin Perëndimor. Problemet e komplikuara të këtij rajoni zinin vend të veçantë në axhendën e saj në 16 vitet e mandateve qeverisëse. Por çfarë arriti Angela Merkel?
Me grusht në tryezë dhe me fjalë të hapura Merkel ka folur vetëm një herë: Më 23 gusht 2011, presidenti atëhershëm serb, Boris Tadiç qëndronte me mimikë të ngurosur në konferencën e shtypit në Beograd krahas mikes nga Berlini. Kancelarja përsëriste ftohtë dhe me ton neutral, atë që i kishte thënë Tadiçit pas dyerve të mbyllura. Serbia duhet të ndalë mbështetjen në veriun e provincës së saj të mëparshme, Kosovë. Beogradi duhet të japë dritën e gjelbër për anëtarësimin e shtetit të pavarur të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ndryshe nuk ka për të ecur përpara me anëtarësimin e Serbisë në BE.
Tadiç, qeveria dhe shumica dërrmuese e serbëve ndjeheshin të fyer. Asnjëherë nuk do të heqim dorë nga Kosova për shkak të BE, thuhej njëzëri. Vërtet: Serbia zyrtare e la Merkelin të ikë duarbosh. Korrigjimi i politikës së Beogradit madje nuk u bëhej as për ca pak vogëlsi. Por kjo nuk e pengoi SPD-në, një vit më vonë të nderonte Tadiçin me medaljen “Roter Bock”, raporton deutschewelle.
Pas përvojës në Beograd, Merkel e ndërroi taktikën e saj. Në vend të konfrontimit ajo kërkoi bashkëpunimin me politikanët e Ballkanit. Liderët politikë të Bosnje-Hercegovinës, shpesh të quajtur të dështuar ftoheshin një pas një në zyrën e kancelares për t’i bërë të ndërronin qëndrim në çështjet e konfliktit. Në fillim të vitit 2015 Merkel dërgoi ministrin e saj të Jashtëm, sot presidentin Frank-Walter Steinmeier në Sarajevë. Së bashku me ministrin e Jashtëm britanik, Philip Hammond ata duhet të angazhoheshin me shkrim që të bënin funksional përmes reformave kushtetuese shtetin e boshnjakëve myslimanëve, serbëve ortodoksë dhe kroatëve katolikë. Si shpërblim vendi do të merrte ndihma financiare për të rimëkëmbur ekonominë e shkatërruar. Por as kjo iniciativë nuk solli ndryshime.
Në vitin 2014 Merkel thirri Konferencën e Berlinit me krerët e qeverive dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, të njohur tanimë në hsitorinë diplomatike si “Procesi i Berlinit”. Pikërisht ky format solli rezultate konkrete: një rrjet rinor rajonal sipas modelit gjermano-francez, u hoqën po ashtu tarifat roaming mes vendeve ballkanike të grindura. Përkundër kësaj krijimi i një tregu të përbashkët rajonal të këtyre vendeve dhe zgjerimi i infrastrukturës së pazhvilluar është ende në fillime.
BE dhe Gjermania prej vitesh kanë disa mjete presioni në dorë, për t’i bërë të lëvizin nga pozicionet e ngurta politikanët kryesorë atje. Dy e treta e tregtisë së rajonit kryhet me Europën Perëndimore dhe sidomos me Gjermaninë, Austrinë. Edhe shumica e investimeve të drejtpërdrejta të huaja vijnë nga BE. Qindra mijëra vetë me origjinë nga Ballkani Perëndimor e Europa Juglindore kanë emigruar në Europën Perëndimore e sidomos në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
Flukset financiare nga Europa mbështesin konsumin
Ndoshta nuk ka pse të shkosh aq larg si trajneri kroat Miroslav Blazeviç, që kërkonte para vitesh nga rajoni që të kishte marrëdhënie të mira me Berlinin, sepse me gjasë sipas tij 30% e kroatëve dhe 50% e boshnjakëve jetonin nga ndihmat financiare nga Gjermania. Vërtet që transfertat në para të emigrantëve përbëjnë më shumë se 10% të prodhimit të përgjithshëm bruto të këtyre vendeve. Kjo para shkon kryesisht në konsum dhe kujdeset që problemet sociale dhe ekonomike të mbahen nën kontroll.
Merkel deri në fund i mbeti besnik motos “me bukë dhe me kërbaç” në Ballkanin Perëndimor. Anëtarësia në BE do duhej të ishte aq tërheqëse, saqë krerët kryesorë të rajonit të detyroheshin të bënin lëshime politike, për të zgjidhur konfliktet. Një kurs më i dashur personal i kancelares do duhej në fund të çonte në rezultate.
Struktura korrupte dhe partnerë politikë
Por në BE pikërisht në kohën e Merkelit u lanë mënjanë me zemërgjerësi probleme si korrupsioni galopant, presioni ndaj drejtësi apo fshikullimi i mediave. Në fund të fundit partnerët politikë nuk duheshin zemëruar. Presidenti aktual serb, Aleksander Vuçiq, për të cilin jo vetëm opozita ngre zërin se ndjek një politikë autokratike, rregullisht mburret me miqësinë personale me Merkelin. Ajo vetë e mikpriti demonstrativ në kohën e fushatës zgjedhore në zyrën e kancelares dhe e bëri edhe njëherë të qartë, se kë konsideronte partner politik.
Në fushatën zgjedhore në maj 2019 për Parlamentin Europian në Zagreb, Merkel duartroket, -pa e ditur-, se kjo ishte muzika e këngëtarit nacionalist Thompson dhe duhej të dëgjonte fjalime nacionaliste.
Në drejtim të integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor Merkel nuk pati sukses. Ato që mbeten nga kancelarja në largim janë ndihmat masive financiare për Ballkanin Perëndimor me angazhimin e saj. Vetëm këtë javë Bruksel miratoi 14,2 miliardë dollarë, me të cilat do të mbështeten vendet kandidate të rajonit deri në vitin 2027. E nëse këto mjete financiare do të përdoren siç duhet, nuk dihet për shkak të strukturave të korruptuara në këto vende.